Botërori 2023 për femra / Trajneri Grima shpall listën për sfidat me Kosovën e Belgjikën

Kombëtarja shqiptare e femrave do të nisë që nga sot përgatitjet për fillimin e edicionit të ri të ndeshjeve kualifikuese të vlefshme për Kampionatin Botëror “Australi – Zelandë e Re 2023”.

Trajneri i ekipit kuqezi, Armir Grima ka bërë publike këtë të shtunë listën me emrat e futbollisteve të grumbulluara për dy ndeshjet e para që Shqipëria do të luajë ndaj Kosovës më 16 shtator në “Elbasan Arena”, ndërsa pesë ditë më vonë do të zhvillojë një tjetër ndeshje ndaj Belgjikës në transfertë.

Grima ka ftuar 24 lojtare për këto dy ndeshje, me 16 prej vajzave që aktivizohen në kampionatin shqiptar, 3 në kampionatin kosovar dhe 5 në kampionatin europian dhe amerikan.

Vajzat kuqezi janë shortuar në grupin F, së bashku me Poloninë, Norvegjinë, Belgjikën, Kosovën dhe Armeninë. Përfaqësuesja e femrave do të tentojë të marrë maksimumin nga këto dy ndeshje të shtatorit, teksa do të rikthehen të luajnë sërish në tetor, fillimisht ndaj Armenisë më 21 tetor e më pas do të udhëtojë në transfertën polake më 26 tetor. Në nëntor, Shqipëria do të presë Norvegjinë në shtëpi, me ndeshjen që do të zhvillohet më 25 nëntor dhe më pas do të luajë ndaj Kosovës në transfertë më 30 nëntor.