Borxhi publik, parashikimet pesimiste! Kuadri afatmesëm: Duhet pritur 2025 që të bjerë nën 70%, në nivelet e para krizës

Ekonomia shqiptare do të vijojë të përballet 5 vjeçarin e ardhshëm me nivele mjaft të larta të borxhit publik. Ndërkohë që sipas parashikimeve më optimiste, ai do të zbresë në nivelet para krizës së shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia vetëm në vitin 2025.Të dhënat janë në Kuadrin Makroekonomik e Fiskal për vitet 2022-2024 të sapo-publikuar nga Ministria e Financave, ku parashikohet se duhet pritur viti 2025 që borxhi të zbresë nën kuotën e 70% të Produktit të Brendshëm Bruto.

Më konkretisht, parashikon Ministria, duke marrë të mirëqena supozimet dhe projeksionet e tjera të këtij kuadri aktual, respektimi në mënyrë të përvitshme i këtij objektivi (rregulli fiskal) të parametrit të balancës primare, pritet të çojë në një reduktim të nivelit të borxhit publik neto rreth nivelit prej 68 përqindësh të PBB-së deri në vitin 2025 nga rreth 78.6 për qind që pritet të rezultojë në 2021.

Pas recensionit të fortë në vitin 2020, aktualisht i parashikuar në -4.4 për qind, ekonomia pritet të rekuperohet në vitin 2021 dhe të vijojë trendin pozitiv në periudhën afatmesme. Rritja ekonomike parashikohet në 5.5 për qind në vitin 2021 dhe parashikohet mesatarisht rreth 4.4 për qind në vit përgjatë periudhës afatmesme në vijim 2022–2024.

Më specifikisht, rritja ekonomike parashikohet në 4.8, 4.5 dhe 3.9 për qind, respektivisht për vitet 2022, 2023 dhe 2024.

Gjatë periudhës afatmesme rritja pritet të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi ashtu edhe investimet. Ndërkohë, kërkesa e huaj neto (eksport–import) pritet të ketë një efekt pothuajse neutral, marxhinalisht në kahun pozitiv.

Konsumi privat pritet të nxitet kryesisht nga përmirësimi i besimit të konsumatorit, si dhe nga përmirësimet në tregun e punës. Këto të fundit priten të transmetohen në një rritje graduale të pagave, të cilat më tej pritet të stimulojnë të ardhurat reale të disponueshme të individëve, duke krijuar efektin e raundit të dytë në nxitjen e konsumit, si dhe duke intensifikuar prirjen e konsumatorëve për financimin e mëtejshëm të konsumit nëpërmjet një kredimarrjeje më të lartë.

Ndërkohë, kredimarrja për konsum parashikohet të nxitet edhe nga përmirësimi i pritshëm i kushteve financiare të individëve, ashtu edhe nga lehtësimi i pritshëm i standardeve të huadhënies nga sistemi bankar në periudhën afatmesme, pas kapërcimit të efektit negativ nga goditja e pandemisë.