Borxhi kombëtar i SHBA-së në rekord të ri, vijon të rritet!

Borxhi kombëtar i SHBA-së është afër tejkalimit të 31 trilion dollarëve për herë të parë në histori, sipas Fox News.

Sipas shifrave të publikuara javën e kaluar nga Departamenti i Thesarit, borxhi kombëtar i vendit qëndron në 30.9 trilion dollarë dhe mund të arrijë në 31 trilion dollarë që në fillim të këtij muaji.

Kufiri i ri është pothuajse afër, pavarësisht se Presidenti Biden flet për një rënie të mprehtë të deficitit buxhetor vjetor – ndryshimi midis asaj se sa qeveria shpenzon dhe sa merr taksa në një vit.

Në vitin 2020, ndërsa COVID-19 çoi në një rënie ekonomike dhe një rritje të shpenzimeve federale, qeveria vendosi një rekord duke shpenzuar 3.1 trilion dollarë më shumë se sa mori. Në vitin 2021, deficiti buxhetor ra në 2.8 trilionë.

Deri në fund të vitit aktual fiskal – 30 shtator – kjo shifër pritet të jetë rreth një trilion dollarë. / SCAN