Bllokimi i fluturimeve në Rinas, Prokuroria nis hetimet, thirret në Polici një nga kontrollorët

Policia e Tiranës ka nisur shoqërimin e kontrollorëve të trafikut ajror, pas firmosjes së një deklarate nga ana e tyre për paaftësi për të vepruar përkohësisht në punë, duke ndërprerë kështu fluturimet hyrëse dhe dalëse nga i vetmi aeroport ndërkombëtar që ka vendi ynë.

Pak minuta më parë është paraqitur në ambientet e policisë, Muhni Mezini, kontrollori i parë nga 65 kontrollorët e Albcontrol që ndodhen gjithsej në kullën e Rinasit. Sipas kolegëve të tij, Mezini është njoftuar përmes telefonit nga policia për t’u paraqitur në komisariat për një sqarim.

Ndërkohë, po ashtu Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka filluar hetimet për situatën e ndodhur ne aeroportin e Rinasit. Mësohet se, bazuar në nenin 248 të Kodit Penal Prokuroria ka filluar hetimin për veprën penale “shpërdorim detyre”, të kontrollorëve tëAlbcontrol.

Oficërët e policisë gjyqësore po hetojnë për zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes. Si dhe po kryhen veprimet hetimore në drejtim të evidentimit të rolit të secilit prej personave të përfshirë në këtë ngjarje.

Kujtojmë se, kontrollorët e trafikut ajror të AlbControl kanë ndalur punën ditën e sotme pas uljes së pagave nga 4400 dollarë në 2400 dollarë me argumentin se kanë stres, për pasojë sot janë anuluar të gjitha fluturimet nga Aeroporti i Rinasit.

Një gjë të tillë u konsiderua si grusht shteti nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ku janë të përfshirë- sipas saj- presidenti Ilir Meta dhe ish- kryeministri Sali Berisha.