Bledi Mane: Yll bote/ Na nderove o shpirt …

Nga Bledi Mane

E keni vënë re modestinë karakteristike të këtij kampioni bote? Një kampion i vërtetë i bërë i tillë falë talentit, kurajos, vullnetit, stërvitjes. Kampion i raskapitur nga vuajtjet por i fortë nga karakteri. Kampion që nuk iu tremb emigracionit, racizmit, përbuzjes, mënjanimit por u ngrit mbi gjithçka që kërkonte ta poshtëronte dhe triumfoi.

Triumfoi i vetëm me heroizëm pa qenë anëtar partie, pa ndihmë qeverie, pa paratë publike, pa miq në federatë, pa sponsorizime me kushte.

Florian Marku mbrëmë na dha një leksion të mirë dhe bëri që Shqipëria e tërë të mbajë frymën e të përulet para kampionit. Fitorja është dhe mbetet e tij sepse askujt nga ne nuk i ka ndonjë borxh, as ministrisë së sporteve, as federatës së boksit, as bashkisë së Lushnjes, as presidencës, as qeverisë.

Nuk futi dorën në thesin e taksave tona dhe as nuk rrëmbeu lekët kolektive por rrëmbeu titullin botëror me djersën e tij që mbrëmë i shkëlqente mbi trup ashtu siç ka emrin, florí e shkuar floririt.


E nisa dhe po e mbyll këtë postim me fjalët e prindërve të Florian Markut, “na nderove o shpirt”.
Vetëm familja Marku ka të drejtë të gëzojë e të mburret me birin e saj të hekurt, ne të tjerët le të ngrohemi në diellin e këtij shtatori të infektuar e të vaksinuar!