Bizneset prodhuese dhe eksportuese në Shqipëri, hapa para drejt rimodelimit ekonomik

Bizneset prodhuese dhe eksportuese pohojnë se krahu i lirë i punës nuk është më avantazh për Shqipërinë dhe se industrialistët europianë po e kërkojnë fuqinë e lirë punëtore në vendet afrikane. Përpun...
Bizneset prodhuese dhe eksportuese në Shqipëri, hapa para drejt rimodelimit ekonomik
Foto: Bizneset prodhuese dhe eksportuese në Shqipëri, hapa para drejt rimodelimit ekonomik

Bizneset prodhuese dhe eksportuese pohojnë se krahu i lirë i punës nuk është më avantazh për Shqipërinë dhe se industrialistët europianë po e kërkojnë fuqinë e lirë punëtore në vendet afrikane. Përpunuesit e peshkut, fasonit dhe të veshjeve e këpucëve kanë shtuar, në mënyrë sporadike, investimet për rimodelimin e aktivitetit të tyre, duke u orientuar drejt ciklit të mbyllur. Shoqata e Prodhuesve Shqiptarë thekson se pas pandemisë ka ardhur koha që të gjithë bizneset të rimodelohen, të shkëputen nga modeli i kaluar, për të përfituar nga avantazhi konkurrues. Rekomandohet hartimi i një programi orientues nga institucionet shtetërore.

Iku koha kur në Shqipëri gjetja e krahut të lirë të fuqisë punëtore përbënte avantazh konkurrues ekonomik. Edhe vetë industrialistët europianë u janë drejtuar vendeve afrikane për gjetjen e fuqisë së lirë punëtore. Shtimi i kostos së fuqisë punëtore e ndikuar nga rritjet e herëpashershme të pagës minimale (paga minimale u rrit 3 herë në harkun e një viti, nga prilli 2022 deri në prill 2023), por edhe pagave të punonjësve për të frenuar largimet masive të profesionistëve po krijon domosdoshmërinë e rimodelimit të ekonomisë.

Disa kompani prodhuese dhe eksportuese, prej disa vitesh, kanë nisur të orientohen drejt mekanizmit të aktivitetit dhe krijimit të vlerës së shtuar të bizneseve të tyre nëpërmjet zbatimit të ciklit të mbyllur. Ndërmarrjet fason të përpunimit të peshkut, të cilat prej vitesh e kishin “nuhatur” se një ditë, sektori do të humbiste avantazhin e fuqisë punëtore, e ndikuar nga rritja e pagave për shkak të konkurrencës me rajonin, apo edhe vendet europiane ku shumica e shqiptarëve po emigrojnë, kanë shtuar investimet për mekanizmin e prodhimit dhe krijimin e ciklit të mbyllur.

Disa fabrika e shohim më të leverdishme të furnizojnë direkt markatat europiane me produkte të gatshme, sesa të punojnë për të tretët.

Lexo edhe:

Prej kohësh, avantazhi i fuqisë së lirë punëtore nuk ekziston si i tillë edhe për industrinë e eksportuesve fason të veshjeve dhe këpucëve. Drejtues të ProEksport Albania pohojnë se tashmë ky sektor duhet të orientohet drejt ciklit të mbyllur prodhues. Sipas drejtuesit të Proeksport Albania, sektori është gati, pasi ka përvojë 30-vjeçare, por për këtë duhet të zbatohet një paketë e posaçme në ndihmë të sektorit të manifakturës.

Edhe Agim Rrapaj, nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, pohon se prej kohësh në sektorët e agropërpunimit bujqësor nuk ekziston avantazhi i fuqisë së lirë punëtore dhe rritja e pagës minimale nuk i dëmton ata.

“Aktualisht në bujqësi dhe blegtori nuk ka punë krahu që të paguhet nga punëmarrësi më pak se 2,000 lekë/ditë. Profesionistët paguhen edhe më shumë. Në peshkim dhe agropërpunim, subjektet që operojnë në përpunim dhe paketimin e produkteve të peshkut dhe fruta-perimeve, i kishin pagat reale të punonjësve mbi 40 mijë lekë, që para rritjes së pagës minimale.

Rritja e saj nga 1 prilli, në 40 mijë lekë, nuk ka si të ndikojë negativisht. E njëjta gjë vlen edhe për sektorin e industrisë së bimëve mjekësore dhe aromatike, për agroturizmin, bletarinë, si dhe për tregjet agroblegtorale.

I vetmi faktor që po dëmton subjektet që punojnë konform ligjeve në fuqi janë subjektet në informalitet të plotë. Informaliteti është shkatërrues për subjektet që zbatojnë rregullat. Aktualisht lufta kundër informalitetit është fronti ku duhet përqendruar vëmendja”.

Në këtë format të ekonomisë, çdo ndryshim i kostos sjell humbjen e konkurrueshmërisë

Arben Shkodra, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve Shqiptarë, pohon se në këtë format të ekonomisë, çdo ndryshim i elementit të kostos sjell humbjen e konkurrueshmërisë. Z. Shkodra thekson se tashmë ka ardhur koha të rimodelohet orientimi i ekonomisë prodhuese, bazuar te resurset dhe dinamika e tregjeve të huaja. Sipas tij, procesi është i domosdoshëm të nisë të vihet në zbatimin 10 vitet e ardhshme, i cili do të shoqërohet dhe me humbje të sektorëve.

Por për rimodelimin ekonomik të bizneseve prodhuese në tërësi, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë rekomandon si të domosdoshëm hartimin e një programi orientues nga institucionet shtetërore, me qëllim zbatimin e vizioneve nga sipërmarrësit në përputhje me shfrytëzimin e resurseve vendase dhe dinamikës së zhvillimit të ekonomisë globale.

“Ecuria e zhvillimit të ekonomisë prodhuese për vite me radhë në Shqipëri ka qenë lineare, e ngritur pa orientim dhe mungesë vizioni për t’u bazuar te resurset e vendit dhe dinamikën e ekonomisë globale, por e mbështetur vetëm te puna e mirë e sipërmarrësve. Tashmë ka ardhur koha që bizneset prodhuese, si ato të fruta-perimeve, pijeve, ujit të fokusohen në atë që ju jep toka, jo vetëm në kontekstin e shitjes së prodhimit të tyre, por duhet të nisin stadin e konkurrueshmërisë nëpërmjet përpunimit. Ky rimodelim është i domosdoshëm jo vetëm për shkak të mënyrës se si ka qenë e orientuar më parë ekonomia shqiptare, por edhe për shkak të efekteve të pandemisë”.

Për rimodelimin e bizneseve referuar dinamikës së ekonomisë, siç është zhvillimi i vrullshëm i sektorit IT, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve Shqiptarë pohon se është e nevojshme të krijohen elementet e infrastrukturës për avantazhin konkurrues. Shkodra thekson se në këtë aspekt është mjaft e rëndësishme që në sistemin arsimor të përfshihet e mësimi i sa më shumë gjuhëve të huaja.

Arben Shkodra: “Ecuria e zhvillimit të ekonomisë prodhuese për vite me radhë në Shqipëri ka qenë lineare, e ngritur pa orientim dhe mungesë vizioni për t’u bazuar te resurset e vendit dhe dinamikën e ekonomisë globale, por e mbështetur vetëm te puna e mirë e sipërmarrësve. Tashmë ka ardhur koha që bizneset prodhuese, si ato të fruta-perimeve, pijeve, ujit të fokusohen në atë që ju jep toka, jo vetëm në kontekstin e shitjes së prodhimit të tyre, por duhet të nisin stadin e konkurrueshmërisë nëpërmjet përpunimit. Ky rimodelim është i domosdoshëm jo vetëm për shkak të mënyrës se si ka qenë e orientuar më parë ekonomia shqiptare, por edhe për shkak të efekteve të pandemisë”.

Industria fason duhet të orientohet drejt ciklit të mbyllur

Për shkak të kushteve të paqëndrueshmërisë që krijoi në pandeminë e Covid-19 tregu tradicional i ndërmarrjeve fason Itali, shumë fabrika vendase diversifikuan prodhimin me qëllim mbijetesën. Kompania Mali sh.p.k. në Lezhë ishte rasti tipik i diversifikimit total të linjës prodhuese nga këpucë në materiale njëpërdorimshme anti-Covid-19. Vlera e investimit për ngritjen e linjës së re llogaritej 100 mijë euro.

Ndërsa kompania “Madish” në Shkodër nisi rinovimin e parkut të makinave të fabrikës për të ulur humbjet nga distancimi i punonjësve në kohë pandemie, si dhe për t’i dhënë zgjidhje mungesës së fuqisë punëtore edhe në perspektivën afatgjatë. Në periudhë afatgjatë, investimi llogaritej me vlerë 1 mln euro.

Sfidë e sektorit në këtë periudhë të mungesës së lartë të fuqisë punëtore, ku edhe marrja e punonjësve nga vendet aziatike rezulton me kosto të lartë, mbetet modernizimi i makinerive prodhuese, duke përdorur teknologji më të avancuara, madje duhet të arrihet drejt automatizimit dhe ciklit të mbyllur të prodhimit. Edvin Prençe, kryetari i Shoqatës Proeksport Albania, pohon se në tërësi, modeli konkurrues i biznesit fason nuk është e nuk mund të mendohet më me fuqinë e lirë punëtore, por drejt ciklit të mbyllur. Z. Prençe shton se sektori është gati të ndahet nga modeli i kaluar, por për këtë duhet të zbatohet një paketë e posaçme në ndihmë të tij.

“Duhet orientim apo lehtësi që sektori i manifakturës së veshjeve dhe këpucëve të jetë një vlerë e shtuar si prodhues, pasi në të kundërt do jetë një sektor i cili do të zhduket gradualisht dhe ekonomisë sonë do t’i mungonin 40% të eksporteve ‘Made in Albania’ dhe rrezikohet mbyllja e vendeve të punës të 75,000 të punësuarve aktualë, gjë që nuk mund të mendohet e as të lejohet.

Duhet të orientohemi, siç e kemi theksuar edhe më parë drejt ciklit të mbyllur prodhues. Jemi sektor me një histori tashmë mbi 30-vjeçare, kemi përvojën si biznese, punonjësit tanë kanë aftësinë, mundësitë dhe premisat që sektori, me politikat ekonomike, të kthehet në lider për Europën e më gjerë si prodhues të veshjeve dhe këpucëve”.

Për këtë, ai rekomandon se duhet një paketë e mirëfilltë për industrinë përpunuese siç është edhe e parashikuar prej me shumë se dy vjetësh. Kjo paketë duhet të shtrihet në akses në likuiditet për rinovimin dhe modernizimin e impianteve prodhuese. Nevojitet promovimi në panaire dhe certifikimi i ndërmarrjeve (të cilat rrisin paketën e klientëve aktualë dhe përmirëson kushtet e punës së punonjësve), si dhe trajnime për rritjen cilësore të aftësive të punonjësve tanë dhe menaxherëve të bizneseve. Z. Prençe thotë se pa këto ndërhyrje emergjente, edhe pse të vonuara, e ardhmja do të jetë në pikëpyetje për shumë biznese të sektorit.

Më parë bizneset e sektorit fason ngritën shqetësimin se rritja e pagës minimale nga 1 prilli 2023 hyri në fuqi pasi ishin negociuar çmimet me furnitorët. Kryetari i Shoqatës ProEksport Albania thotë se efektet e rritjes së pagës janë pjesë e shtuar e kostove që tashmë sektori po paguan.

“Si gjithmonë, biznesi është hallka e fundit që pyetet për vendime ekonomike, të cilat në njëfarë mënyre ndërrojnë drejtimin e biznesplanit që ka pasur në programin e tij. Prandaj është e nevojshme që ndryshimet e pagës minimale, ndryshimet fiskale dhe çfarëdo lëvizje që ndikon në ecurinë ekonomike të bizneseve, duhet konsultuar dhe parashikuar në kohë që biznesi të marrë masat e tij”, pohon ai.

Eksportet e tekstileve dhe këpucëve në periudhën janar-mars 2023 u rritën rreth 6% krahasuar me vjet, sipas të dhënave të INSTAT. Eksportuesit e ndërmarrjeve fason ngrenë shqetësimin e thellimit të humbjeve, për shkak të rënies së lartë të monedhës Euro. Shoqata Proeksport Albania llogarit se për 3-mujorin e parë të vitit, humbjet e shkaktuara nga zhvlerësimi i Euros janë 45 mln euro, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022.

Paga minimale

“Si gjithmonë, biznesi është hallka e fundit që pyetet për vendime ekonomike, të cilat në njëfarë mënyre ndërrojnë drejtimin e biznesplanit që ka pasur në programin e tij. Prandaj është e nevojshme që ndryshimet e pagës minimale, ndryshimet fiskale dhe çfarëdo lëvizje që ndikon në ecurinë ekonomike të bizneseve, duhet konsultuar dhe parashikuar në kohë që biznesi të marrë masat e tij”

Efektet për kompensimin e rritjes së pagës minimale

Në shkallë vendi, nga 1 prill, paga minimale u rrit 6,000 lekë, duke shkuar në nivelin e 40,000 lekëve.

Nga qeveria u konsiderua e nevojshme të bëhej sërish rritja e pagës minimale, por që barra të mos rëndojë vetëm te biznesi, u shoqërua me lehtësi fiskale, duke kompensuar në vlerën e 1,600 pagat e ulëta në sektorin fason të veshjeve dhe këpucëve, peshkimit, pyjeve dhe bujqësisë.

Udhëzimi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë përcakton se shuma totale për çdo kompensim për çdo muaj do të bazohet në numrin e punonjësve, në masën 1,674 lekë për çdo punonjës e llogaritur në referencë edhe të periudhës kontributeve të muajit dhjetor 2022.

Aplikuesit nuk duhet të kenë detyrime të papaguara të kontributeve të sigurimeve shoqërore, gjoba të papaguara apo janë në proces falimentimi, në të kundërt kërkesa e tyre do të refuzohet.

Agim Rrapaj, nga KASH, thotë se kompensimi për efekt të rritjes së pagës minimale, si instrument ndihmon vetëm sektorin e peshkimit që punon kryesisht si fason.

Edhe për kryetarin e Shoqatës së Bimëve Medicinale dhe Aromatike, Filip Gjoka, udhëzimi i MFE për kompensimin e rritjes së pagës minimale ndikon në zbutjen efektit të fuqisë punëtore, por sipas tij, vendimi duhej të ishte më parë me qëllim që të parandalohej eksodi masiv i largimit të punonjësve.

Z. Gjoka thekson se, pavarësisht kompensimit, shumë biznese nuk mund të përballojnë kostot nga rritja e pagës minimale. Ai rekomandon se qeveria, krahas vendimit për rritjen e pagës minimale, duhet që për eksportues të sektorëve të ndryshëm të ketë një paketë me masa lehtësuese që nxisin konkurrueshmërinë në rajon./Monitor