Aktivet e sektorit bankar pësuan rënie në tremujorin e parë të vitit.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i aktiveve të sektorit në fund të muajit mars zbriti në 1.872 trilionë lekë, rreth pesë miliardë lekë më pak krahasuar me fundin e vitit 2022.
Megjithatë, sektori ka ruajtur rritje vjetore pozitive, me një zgjerim të totalit të aktiveve prej 5.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Frenimi i rritjes së sektorit bankar në tremujorin e parë mund të shpjegohet me ritmet e dobëta të rritjes së depozitave, që përfaqësojnë edhe burimin kryesor të krijimit të aktiveve të reja, si edhe me vijimin e efektit negativ të kursit të këmbimit, që ka ulur vlerën e aktiveve në valutë të huaj dhe kryesisht në euro.
Gjatë tremujorit të parë të vitit, dy grupet kryesore të aktiveve, kredia dhe letrat me vlerë kanë pësuar rënie, ndërsa rritje të ndjeshme ka regjistruar grupi i aktiveve likuide, që klasifikohen në zërin e veprimeve me thesarin dhe ndërbankare.
Në vija të përgjithshme, kjo është dëshmi e një rënieje të oreksit për rrezik të sektorit bankar dhe zhvendosjes së më shumë fondeve drejt grupeve të aktiveve me rrezik të ulët.
Portofoli bruto i kredisë (pa zbritur provigjionet për kreditë me probleme) në fund të tremujorit të parë të vitit kishte vlerën e 708.9 miliardë lekëve. Kjo shifër përfaqëson rënie prej 0.4% krahasuar me fundin e vitit 2022, por megjithatë vlera e portofolit ngelet në rritje me 3.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rënia tremujore e portofolit ka ardhur kryesisht në segmentin e kredisë afatshkurtër, ku po ndihen më shumë efektet e mosrinovimit të portofolit nga ngadalësimi i kredisë së re.
Ndërkohë, kredia afatgjatë rritjen edhe për tremujorin e parë, duke reflektuar sidomos ritmet e larta të kreditimit në sektorin e pasurive të paluajtshme.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë kanë treguar se kredia për banesa, sidomos në valutë të huaj, i është kthyer zgjerimit në tremujorin e parë të vitit, edhe falë një rritjeje ende të vogël të normave të interesit.
Ndërkohë, vlera e fondit të provigjioneve (që llogariten si zë negativ në tabelën e aktiveve) nuk ka pësuar ndryshime domethënëse gjatë tremujorit të parë, element që tregon se bankat nuk kanë vlerësuar përkeqësime të dukshme në cilësinë e portofolit të kredisë.
Rënie të ndjeshme gjatë tremujorit të parë të vitit kanë pësuar edhe investimet në letra me vlerë. Portofoli i titujve ka rënë në vlerën e 601.5 miliardë lekëve, 2.6% më pak krahasuar me fundin e vitit 2022. Rritja e shpejtë e yield-eve sidomos në gjysmën e dytë të vitit të kaluar ka bërë që bankat të kufizojnë shumë investimet, sidomos në titujt e borxhit afatgjatë. Një tendencë e tillë duket se ka vijuar edhe në tremujorin e parë të vitit.
Në strukturën e bilancit sipas valutës, edhe në tremujorin e parë është shënuar një rritje e mëtejshme e peshës së aktiveve në valutë të huaj, ose e thënë ndryshe një rritje e euroizimit të sektorit.
Pavarësisht efektit të kursit të këmbimit, totali i aktiveve në valutë është rritur në 995.2 miliardë lekë, rreth 6.5 miliardë lekë më shumë krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Aktivet në valutë përbëjnë 53.15% të vlerë së bilancit, nga 52.7% në fund të vitit 2022.
Rritja e euroizimit të bilancit është rrjedhojë direkte e rritjes paralele të peshës së valutës në krahun e detyrimeve dhe sidomos të depozitave. Sidomos pas mesit të vitit të kaluar, pothuajse e gjithë rritja e depozitave të sektorit ka ardhur në valutë të huaj dhe kryesisht në euro, ndërsa depozitat në lekë paraqiten në stanjacion./monitor