Biden: Herët apo vonë SHBA do të regjistrojë raste të llojit ‘Omicron’, nuk ka arsye për panik

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka deklaruar se SHBA “herët apo vonë” do të regjistrojë raste të llojit ‘Omicron’ të koronavirusit COVID-19, por theksoi se kjo nuk është arsye për panik.

Duke folur në një konferencë për media mbi llojin e ri ‘Omicron’ pas takimit me zyrtarë të lartë shëndetësor në Shtëpinë e Bardhë, Biden tha se shtetet amerikane “do të duhet të përballen me këtë kërcënim të ri” dhe u kërkoi amerikanëve të mbrohen kundër tij përmes vaksinimit.

“Ky lloj është shkak për shqetësim, por jo edhe shkak për panik”, tha Biden, duke shtuar se mbrojtja më e mirë kundër tij është vaksinimi i plotë ose vaksina përforcuese për ato persona që tashmë janë vaksinuar plotësisht.

Lidhur me kufizimet e reja të SHBA-së për udhëtimet nga Afrika, Biden tha se ata do t’u japin zyrtarëve më shumë kohë për të ndërmarrë veprime kundër llojit të ri.

Biden po ashtu vlerësoi autoritetet e Afrikës së Jugut për identifikimin e shpejtë të llojit ‘Omicron’.

“Kjo lloj transparence duhet inkurajuar dhe duartrokitur”, shtoi Biden.

Zyrtarët e Afrikës së Jugut dhe të tjerë kanë theksuar se ndalimet e udhëtimit e ndëshkojnë në mënyrë efektive vendin për gjetjen e llojit të ri të koronavirusit.

Javën e kaluar, shkencëtarët e Afrikës së Jugut njoftuan se kanë zbuluar llojin ‘Omicron’, i cili ka disa mutacione që mund të mbartin rrezikun e ri-infeksionit. Që atëherë, rastet e të njëjtit lloj janë zbuluar në disa vende perëndimore.

Të premten, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e shpalli këtë lloj të koronavirusit “shqetësues”, duke e quajtur atë ‘Omicron’.

Që nga muaji dhjetor i vitit 2019, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins me qendër në SHBA, pandemia COVID-19 ka marrë pothuajse 5.2 milionë jetë njerëzish nga mbi 261.6 milionë raste të raportuara në mbarë botën.