Besnik Muçi injoroi vendimin për shkarkimin e tij nga KPA-ja, duke u paraqitur sot në ambientet e Gjykatës Kushtetuese.
Gjatë mesditës së sotme, ai i ka dërguar një letër GJK-së, ku kërkon të njoftohet nga ajo nëse i ka mbaruar mandati apo jo.
Me këtë veprin, anëtari i emëruar nga Presidenti Meta, tregon se nuk e njeh vendimin e KPA-së, por pret vetëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, urdhëresa e KPA-së është e pambështetur në ligj, pasi nuk duhej t’a hetonte në momentin që u emërua si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
“I kam kërkuar Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, që në bazë të nenit 127 të Kushtetutës dhe nenit 9.2 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “ Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” të inicioni procedurën e verifikimit të mbarimit të mandatit tim si anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe marrjen e këtij vendimi nga Gjykata Kushtetuese në zbatim të nenit 127.2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë nëse verifikohen nga ana e Gjykatës Kushtetuese kushtet e mbarimit të mandatit tim si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese. Jam në pritje të njoftimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për deklarimin ose jo të mbarimit të mandatit tim si Gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese në përmbushje të detyrimeve. Urdhëresa e KPA është e pa mbështetur në ligj ose Kushtetutë. Menjëherë pas betimit në Presidencë KLP-ja duhet të hiqte statusin e magjistratit dhe Kolegji të ndërpriste hetimin, pasi nuk mund ti shtrijë kompetencat mbi anëtarët e Kushtetueses”,- shkruan Muçi./apel.media