Berisha zbulon planin, si do i kthejë të larguarit në PD

Nga “Foltorja” e Gjirokastrës Sali Berisha tha se ka në plan që të rikthejë të larguarit në PD, por këtë theksoi se “nuk mund ta bëjë me shkop magjik”.

Të pakënaqurit tha Berisha do të kthehen kur ta besojnë se në PD çdo vendim merret me votë dhe mbi parimin e meritokracisë.

“Po shikoj sloganin që thotë më të bashkuar më të hapur… A do jemi në gjendje të kthejmë demokratët e pakënaqur?”, ishte kjo pyetja e një demokrateje në sallë që u pasua me përgjigjen e Berishës.

“Ne do i kthejmë ata kur ata të besojnë se ne kemi votën bazë dhe do jetë vota ajo që do përcaktojë vendin dhe meritën e gjithësecilit, ne nuk kemi shkop magjik. Në marrëdhënie njeriu i qytetëruar ka besimin, mirëbesimin. Por nëse ke derdhur vite të tëra djersë për një kauzë dhe marr lapsin dhe të bie, në rradhë të parë besoj se kam krizë të madhe personaliteti”, tha Berisha në përgjigjen e tij.

Në mbyllje të këtij diskutimi në Gjirokastër Berisha tha se takimi i rradhës do të jetë në Elbasan.