“Ftoj delegatët të firmosin historinë e re të pluralizmit”/ Berisha: Do vijmë në pushtet duke i bërë thirrje idealeve të rrëzojmë Edi Ramën dhe peng Bashën

Ish-kryeministri Sali Berisha, ka zhvilluar ditën e sotme takim me demokratët në Kuçovë.

Gjatë fjalës së tij Berisha reagoi me akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD Lulzim Basha për të cilin u shpreh se është ‘peng’ i kryeministrit.

“Ne do vijmë në pushtet duke i bërë thirrje idealeve për të hedhur në koshin e plehrave, Edi Ramën , peng Bashën”, tha më tej Berisha.

Po ashtu ish-kryeministri u shpreh se kryeministri Rama do të përfundojë me shoqatën Basha-Bardhi.

“Asnjëri nuk ka përfaqësuar më shumë se unë shqiptarët dhe asnjëri nuk është votuar më shumë se Sali Berisha në këto 30 vite. Qëndrimi im i zuri në befasi Xhorxh Soros dhe Edi Ramën sepse nuk e llogaritën betejën time për dinjitetin, ndaj ndërmorën kërcënime për të cilat nuk kisha asnjë impresion. Sëfundmi kërkuan që të dal nga parlamenti, pro mund të pranoja unë të shkelmoj sovranitetin e vendit tim, kurrën e kurrës. Autor u bë Lulzim pengu i cili i kapur me dosjen muzinë shkelmoi mbi sovranitetin e PD, të vendit dhe natyrisht kjo pjesë është e imja aq sa është edhe e juaja. Kur unë nisa këtë betejë kisha 8 vite që s’kisha bërë asnjë takim me demokratë dhe demokrate. Kërkoj ndjesë që ato 8 vite mbështeta kryetarin me qëllimin e mirë që PD të kthehej në pushtet. Betejën time e nisa dhe erdha tek ju me bindjen se ju jeni njerëzit e idealeve dhe lirisë dhe se për ju dinjiteti njerëzor ka rëndësi të madhe”, tha Berisha.

I ndalur tek Kuvendi Kombëtar thirrur me 11 dhjetor, Berisha e cilësoi si një nga ngjarjet më të rëndësishme, duke u shprehur se 11 dhjetori është ditëlindja e dytë e Partisë Demokratike.

“Mijëra prej jush firmosët formularin për të thirrur Kuvendin Kombëtar, ky është rast i vetëm. Kur lirinë e marrin qytetarët firmosen jo 2 mijë, por pothuajse rreth 5 mijë. Të tjerë vijojnë të firmosin. 11 dhjetori shënon një nga ngjarjet më të mëdha historike. 11 dhjetori është ditëlindja e dytë e PD, ku ne do festojmë duke rikthyer pushtetin tek ju. Këtë ne nuk e pranojmë kurrë.  Ne do të rikthejmë vlerat, pronën dhe do bëjmë gjithçka për korrigjimin e pasojave të krijuara nga ligjet e mëparshme.

Ftoj çdo delegat të Kuvendit të vijë të firmosë aty historinë e re të pluralizmit, PD të rithemeluar. Ftoj çdo demokrat të braktisë anti-kuvendin e datës 18, mbledhjen e krimit Basha-Bardhi në një akt të turpshëm. Të gjithë  e patë si e mblodhi kryesinë. Synojnë të sfidojnë pluralizmin. Ramiz Alia u përpoq, por nuk shkoi në realizimin e saj, kurse Rama do të përfundojë me shoqatën Basha-Bardhi. Rikujtoj edhe njëherë Ramën kur erdhi në pushtet duke i bërë thirrje të gjithë qelbësirave të bashkohen kundër Berishës. Ne do vijmë në pushtet duke i bërë thirrje idealeve për të hedhur në koshin e plehrave, Edi Ramën , peng Bashën”, tha më tej ish-kryeministri.