Berisha: Marrëveshja serbo-ruse, kërcënim i ri për Ballkanin Perëndimor

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar në rrjetet sociale pas marrëveshjes së re të bashkëpunimit mes Rusisë dhe Serbisë e nënshkruar në New York gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB. Berisha e konsideron këtë marrëveshje një kërcënim të ri për Ballkanin Perëndimor.

“Marrëveshja serbo-ruse në New York, një kërcënim i ri për Ballkanin Perëndimor! Të dashur miq, ministri i Jashtëm i Putin, Sergei Lavrov pasi dështoi në udhëtimin e tij drejt Beogradit në fillim të Qershorit të këtij viti, vizitë në të cilën, siç deklaroi vetë, do të shprehte mbështetjen për “Ballkanin e Hapur”, u takua dy ditë më parë në Selinë e OKB dhe firmosi me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Nikolla Selakoviç, Marrëveshjen për Bashkëpunimin në Politiken e Jashtme midis Moskës dhe Beogradit. Kjo marrëveshje dëshmon qartë dhe përfundimisht se Serbia po sillet si Rusi e vogël dhe presidenti i saj Vuçiç është një Putin i vogël në Rajonin tonë. Marrëveshja e Beogradit me Moskën pas agresionit rus në zemër të Europës ndaj një vendi të lirë, Ukrainës, fakton se sa iluzive janë përpjekjet për të shkëputur Putinin e vogël të Serbisë nga Putini i Madh i Rusisë”, shkruan Berisha.

Pasi dënon këtë marrëveshje si kërcënim për paqen në rajon, Berisha shton se bashkëpunimi mes Moskës dhe Beogradit provon se Rama po punon për hegjemoninë ruso-serbe dhe destabilizimin e rajonit kundër interesave kombëtare të shqiptarëve.

“Duke dënuar me forcë këtë si një kërcënim për paqen në rajonin tonë, shtoj se marrëveshja për bashkëpunim në politiken e jashtme midis Moskës dhe Beogradit provon gjithashtu se Edi Rama, ky vasal i Vuçiçit me mbështetjen e Ballkanit të Hapur po punon me përkushtim për hegjemoninë ruso-serbe dhe destabilizimin e rajonit dhe kundër interesave kombëtare të shqiptarëve”, shkruan Berisha.