BE ‘vërejtje’ Kosovës dhe Serbisë: Silluni në mënyrë europiane!

Bashkimi Europian u ka bërë sërish thirrje liderëve politikë në Kosovë dhe Serbi që të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kenë sjellje europiane për të ndihmuar në ulje të tensioneve. Zëdhënësi Pet...
BE ‘vërejtje’ Kosovës dhe Serbisë: Silluni në mënyrë europiane!
Foto: BE ‘vërejtje’ Kosovës dhe Serbisë: Silluni në mënyrë europiane!

Bashkimi Europian u ka bërë sërish thirrje liderëve politikë në Kosovë dhe Serbi që të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kenë sjellje europiane për të ndihmuar në ulje të tensioneve.

Zëdhënësi Peter Stano reagoi ndaj pyetjes së gazetarëve lidhur me deklaratat e presidentit Aleksander Vucic, i cili e quajti kryeministrin Albin Kurti “llum terrorist” dhe paralajmëroi se Serbia nuk do të marrë pjesë në samitin mes BE dhe Ballkanit perëndimor më 6 dhjetor në Tiranë.

“Ne si komunitet i 27 vendeve anëtare presim që të gjithë partnerët tanë, dhe kjo vlen për Kosovën, Serbinë dhe gjithë të tjerët, të sillen në mënyrë europiane. Kjo do të thotë se duhet të përmbahen nga veprimet e njëanshme , veprime që nxisin konfrontimin dhe përshkallëzojnë situatën, dhe duhet të angazhohen në gjetjen e zgjidhjeve në mënyrë europiane”, deklaroi ai.  

Stano theksoi se situata e sigurisë në terren është e brishtë, dhe përsëriti thirrjen e BE që të punohet menjëherë për rikthimin e serbëve të Kosovës në institucione.

“Situata e sigurisë në terren është shumë e brishtë, kjo duhet marrë parasysh. Çdo veprim që do të ndikonte në rritje të tensioneve duhet të shmanget. Kështu më lejoni të përsëris thirrjen e Bashkimit Europian dhe atë të 27 vendeve anëtare ndaj të dyja palëve; të punojnë menjëherë drejt rikthimit të serbëve të Kosovës në institucione, në përputhje me marrëveshjet e detyrueshme të dialogut”.

Duke ju referuar emërimit të Nenad Rashic në postin e ministrit për Komunitete dhe Kthim, vendim ky që nxiti edhe zemërimin e Vucicit, që pretendon se ai nuk përfaqëson serbët e Kosovës, Stano tha se sipas vlerësimeve fillestare emërimi i tij nuk ka qenë në përputhje me kushtetutën. 

Ai u kërkoi autoriteteve në Kosovë të sigurojnë respektimin e Kushtetutës në emërimet e ministrave. Bashkimi Europian theksoi rëndësinë e samitit të Tiranës në kontekstin e situatës globale dhe tha se pret që të marrin pjesë të gjithë liderët.