BE nis bllokimin! Vitin tjetër nuk udhëtojmë dot lirshëm në Europë!/ Ja se si mund ta kaloni doganën

Shtetasit e vendeve të treta që kanë marrë liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian, si Shqipëria, do të kenë një sistem të ri për hyrjen në Zonën Schengen.

Unioni ka hartuar një program që synon “forcimin e kufijve të zonës Schengen”, i njohur si Sistemi Europian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit, ETIAS.

Nëpërmjet këtij sistemi, BE do të kontrollojë paraprakisht të dhënat e udhëtarëve para se të hyjnë në vendet anëtare.

“Do të duhen vetëm disa minuta për të plotësuar një aplikim në internet, i cili në një shumicë dërrmuese të rasteve (mbi 95%) do aprovojë automatikisht hyrjen”,- thotë Katarzyna Kolanko, zyrtare e Komisionit Europian.

Sipas ndryshimeve, aplikantët duhet që t’i përgjigjen pyetjeve me informacione themelore si emri, adresa, data e lindjes, detajet e pasaportës, si dhe disa pyetje që lidhen me shëndetin dhe sigurinë.

Shqiptarët që do të duan të udhëtojnë drejt Bashkimit Europian fillimisht duhet të aplikojnë, të paguajë një tarifë prej 7 eurosh dhe duhet të presë përgjigjen elektronike nëse udhëtimi i tij aprovohet.

Sipas njoftimeve zyrtare, pasi një qytetar merr dritën jeshile nga kontrollet e sigurisë, ai do të jetë i vlefshëm për tre vjet, për një numër të pakufizuar udhëtimesh në vendet e BE-së.

Procedura mund të paraqesë probleme për ata që nuk dinë ta përdorin mirë internetin. Por marrja e autorizimit nga ETIAS nuk është vizë, gjë e cila thuhet vazhdimisht nga Komisioni Europian.

“Udhëtarët e vendeve që përfitojnë nga udhëtimi pa viza në BE, përfshirë ata nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, do të vazhdojnë të përfitojnë. Ky është thjesht një hap i vogël procuderal për udhëtarët që nuk do të lejohen të udhëtojnë në zonën Shengen, për t’i ndihmuar ata të shmangin burokracinë dhe vonesat në kufijtë e BE-së”,- deklaroi Kolanko.

Këta persona përfshijnë qytetarët që kanë probleme me drejtësinë, ata që kanë ekspulse apo ata që e kanë kaluar afatin e qëndrimit tre mujor.

Përveç ETIAS, Bashkimi Europian aktualisht është duke zhvilluar një sistem të ri që do të lexojë të dhënat biometrike. “Sistemi do të kontrollojë të dhëna të tilla si emri, dokumentet e udhëtimit, gjurmët e gishtërinjve dhe imazhi i fytyrës”,- tha Kolanko.

Por, të dhënat biometrikee do të mblidhen vetëm herën e parë që një shtetas shqiptar kalon kufinjtë e Bashkimit Europian./apel.media