BE e dëmton kështu imazhin e vet me sjelljen ndaj Ballkanit

Deputetja liberale gjermane, Renate Alt (FDP) raportuese e grupit parlamentar liberal për Europën Lindore e Juglindore, në një prononcim për mediat, kritikon rezultatet e samitit të BE-së e Ballkanit Perëndimor të zhvilluar në Brdo.
“Që vendet e Ballkanit Perëndimor edhe më tej duhet të kënaqen me fjalë ngushëlluese çon në zhgënjim të mëtejshëm në rajon në lidhje me procesin e anëtarësimit. Me paketën e investimeve, BE nga njëra anë tregon, se do të angazhohet edhe më tej, por nuk do të përcaktojë një perspektivë të qartë europiane, për të mos folur për detyrimet konkrete që duhet të përmbushin këto vende.”

BE e dëmton kështu imazhin e saj me këtë dhe humb kështu besimin që i duhet në procesin e anëtarësimit, thekson deputetja gjermane, Renate Alt.
“Sidomos vendeve me vullnet për reforma si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do ta kenë më të vështirë. Veçanërisht të rinjtë e arsimuar e të orientuar nga reformat po e lënë vendin që nga viti 2019 në masë dhe kërkojnë diku tjetër një perspektivë për të ardhmen”, thotë ajo.
Renate Alt kërkon që qeveria gjermane në detyrë dhe vende si Austria ta bindin Francën, se perspektiva e anëtarësimit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe zhvillimi i mëtejshëm i BE, nuk e përjashtojnë njëra tjetrën.


“Sigurisht kjo nuk i çliron nga përgjegjësia 6 vendet e Ballkanit Perëndimor për të bërë përparime konkrete në fushën e shtetit ligjor, lirisë së mediave dhe luftën kundër kriminalitetit të organizuar. Për BE ka rëndësi: Bëhet fjalë për influencën e saj në rajon, që po sfidohet nga vende si Kina dhe Rusia e Turqia, si edhe për stabilitetin e kontinentit europian”, shprehet Renate Alt, në deklaratën për media, njofton DW.