Baton Haxhiu: Nga sot, Albin Kurti e Besnik Bislimi janë tradhtarë të kombit shqiptar

Gazetari Baton Haxhiu ka reaguar për marrëveshjen e sotme mes Kosovës dhe Serbisë për energjinë duke thënë se  nga sot kryeministri Albin Kurti e zëvendëskryeministri Besnik Bislimi janë tradhtarë të kombit shqiptar.

Në një shkrim, Haxhiu tha se sot Kurti e kreu aktin e parë të tradhtisë ndaj Kosovës, e që sipas tij, tash e tutje, do të ketë më shumë marrëveshje në funksion të krijimit të autonomisë serbe në Kosovë.

“Vetëm akti i parë i tradhtisë u përket përmasave të tmerrit ekzistencial, sepse tradhtitë e tjera pastaj vijnë gjithnjë e më shpesh sa të duken përherë e më të zakonshme. Pra, tani pasi që Albin Kurti e kreu aktin e parë të tradhtisë ndaj vendit me marrëveshjen për energjetikë, kemi për të parë gjithnjë e më shpesh marrëveshje në funksion të krijimit të autonomisë serbe në Kosovë”, shkroi Haxhiu.

Tutje ai e vlerësoi zëvendëskryeministrin Bislimi si një prej njerëzve më të pandershëm në kontinentin tonë.

“Rreth para një jave, një prej njerëzve më të pandershëm në kontinentin tonë, sa i përket aftësisë për të gënjyer ndër sy dhe shërbyer shefit pa asnjë princip, Besnik Bislimi, paralajmëroi se marrëveshja me Serbinë për energjetikë është shumë afër”.

Sipas Haxhiut, paralajmërimi i Bislmit se marrëveshja me Serbinë për energjinë tregoi se Kurti dhe Bislimi kishin zhvilluar biseda të fshehta me thika mbi sistemin energjetik të Kosovës.

“Si fillim, kjo tregoi se Kurti e Bislimi kishin zhvilluar biseda të fshehta, me thika mbi sistemin energjetik të Kosovës, me Vuçiçin e Petkoviçin. Lidhur me këtë marrëveshje, e cila, me siguri nuk është lidhur brenda një nate, ata nuk kanë dhënë llogari as para opinionit publik, as para Kuvendit të Kosovës”, shkroi gazetari.

Tutje ai tha se aktivistët e VV-së të cilët deri sot i kanë thyer dhëmbët nëpër rrugë, sipas tyre për çlirim të Kosovës, sot janë shndërruar në nënpunës të nënshtruar për një rrogë mujore.

“Pra, me çdo standard të VV-së, aktivistët e të cilës deri dje i kanë thyer dhëmbët nëpër rrugë gjoja se për çlirim të Kosovës e sot janë shndërruar në nënpunës të nënshtruar për një rrogë mujore duke arsyetuar çdo vendim kundër vendit të tyre, nga sot e tutje, Besnik Bislimi e Albin Kurti janë tradhtarë të kombit shqiptar”.

Sipas tij, kështu do shkruante sot Albin Kurti nëse kryeministri s’do ishte ai.