Bashkëthemeluesi i Apple, Wozniak: Bitcoin është mrekullia më e mahnitshme matematikore

Gjatë një eventi javën që lamë pas, Steve Wozniak bashkëthemeluesi i kompanisë amerikane Apple e ka quajtur Bitcoin-in si një “mrekulli matematikore”.

Wozniak tha se nuk është një investitor për momentin, por se “beson në një të ardhme”.

Kjo nuk është hera e parë që ai flet për këtë temë.

“Është kaq e pavarur”, i tha Wozniak audiencës gjatë një eventi të ngjashëm në 2018. “Është pak a shumë si interneti kur ishte krejtësisht i ri…unë isha i mahnitur nga teknologjia në atë kohë”, shtoi ai.

Wozniak tha më tej se kurrë s’ka qenë i fiksuar pas çmimit të kriptomonedhës.

“Kisha bitcoin, sa për të eksperimentuar me të, kur arriti kulmin. Nuk dua të bëhem një nga ata persona që e shohin, e shohin dhe u intereson vlera”, tha ai në atë kohë.

Por gjatë eventit të sotëm, Wozniak mbajti thuajse të njëjtin qëndrim.

Pavarësisht se ai pohoi që ende nuk është bërë investitor në bitcoin, shtoi se kriptomonedha është një shpikje e rëndësishme dhe është më e mirë se ari.

“Bitcoin është mrekullia më e mahnitshme matematikore”, tha ai.

Kaq ka mjaftuar që fansat në mbarë botën të spekulojnë se ditën e hënë, Apple do të investojë plot 2.5 miliard dollarë në Bitcoin. Gjatë gjithë këtyre viteve, Apple ka qëndrua neutrale për sa i përket kriptomonedhave.