Basha: Rama po përgatit psikologjikisht qytetarët që të rrisë çmimin e energjisë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha thotë se shpallja e emergjencës energjetike sot nga Kryeministri Edi Rama, është një manovër për të përgatitur psikologjikisht qytetarët për planin që ka përgatitur.

Në një konferencë për shtyp nga selia blu, Basha shprehet se Shqipëria nuk ndikohet në nivele të tilla nga kriza ndërkombëtare energjetike. Por sipas kryedemokratit, Kryeministri Rama ka në plan të rrisë çmimin e energjisë dhe tashmë po përgatit kushtet duke bindur qytetarët.

“Qëllimi i tij i vërtetë është krijimi i kushteve psikologjike tek njerëzit për atë që ai planifikon të bëjë për rritjen e çmimit të energjisë. Sot e patë si spërdridhej jo si Kryeministër por si avokat i klientëve.

Për të justifikuar atë që ky ka në plan të bëjë me çmimin e energjisë këtu është një teatër i pështirë mashtrimesh për të dezinformuar opinionin publik për të bërë që të duket sikur rritja e çmimeve qenka e pashmangshme. Kjo nuk është një krizë energjetike, kjo është krizë korrupsioni dhe keqmenaxhimi me shkak dhe me plan. OSHEE dhe KESH janë kuvli patronazhistësh dhe militantësh partie që nuk i shërbejnë interesit të qytetarëve. Edi Rama do ta përdorë këtë fatkeqësi njësoj si fatkeqësitë e tjera për të mbushur gropat që ai i ka hapur në buxhet, me koncesionet, që falë marrëzisë së kësaj pakice, mbajnë vendin e parë në Europë duke lënë mbrapa çdo vend tjetër”, tha Basha.