Basha: Programi i PD më i miri në historinë e këtyre 30 viteve

Kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi sot në seancën plenare se programi i PD është më i miri në historinë e këtyre 30 viteve dhe se opozita do luftojë me çdo mjet dhe formë, që këto angazhime të bëhen r...
Basha: Programi i PD më i miri në historinë e këtyre 30 viteve
Foto: Basha: Programi i PD më i miri në historinë e këtyre 30 viteve

Kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi sot në seancën plenare se programi i PD është më i miri në historinë e këtyre 30 viteve dhe se opozita do luftojë me çdo mjet dhe formë, që këto angazhime të bëhen realitet dhe zëri i qytetarëve që kërkojnë ndryshim të dëgjohet

Ai theksoi se PD refuzoi parimisht të përdorte të njëjtin model korruptiv të ndërtuar nga ky regjim, “pasi jemi të vetëdijshëm se me barazimin e këtyre faktorëve, pra me aktivizimin edhe nga ne të grupeve dhe metodave kriminale asgjë nuk do ndryshonte për shqiptarët, edhe nëse ndryshimi nuk do të ishte penguar”.

“Kjo është mazhoranca e rremë, këta janë aksionerët e saj, këta dhe sponsorizuesit e tyre do të jenë përfituesit e këtij pushteti, jo shqiptarët!
Përballë këtyre individëve mbi të cilin ngrihet ky pushtet i paligjshëm, detyra jonë është që të bëjmë gjithçka që ata të mos jenë më në këtë sallë dhe i njëjti fat të ndjekë sa më parë të gjithë ata që mbajnë në këmbë këtë regjim që nuk përfaqëson vullnetin e lirë të qytetarëve.
Kjo është detyra jonë e parë dhe vetëm ne mund e do ta bëjmë, sepse vetëm kështu ndahet përfundimisht e ardhmja nga e shkuara. Ne jemi në vijën e parë të betejës.
Sepse ishim ne që refuzuam parimisht të përdornim të njëjtin model korruptiv të ndërtuar nga ky regjim, pasi jemi të vetëdijshëm se me barazimin e këtyre faktorëve, pra me aktivizimin edhe nga ne të grupeve dhe metodave kriminale asgjë nuk do ndryshonte për shqiptarët, edhe nëse ndryshimi nuk do të ishte penguar.
E ndryshme ishte beteja jonë. Ajo nuk u bë nga njerëz të pushtetshëm, nga kriminelë të lidhur me politikën, nga parazitë të përfitimeve ekonomike që burojnë nga taksat dhe pasuritë e qytetarëve”, tha Basha.

Kryedemokrati theksoi më tej se beteja jonë u bë nga njerëz të zhveshur nga çdo pushtet dhe imunitet, nga qytetarë të thjeshtë, nga të rinj e të reja, nga punëtorë e punëtore që kërkonin një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre, nga sipërmarrës të ndershëm që mbajnë mbi supe peshën e korrupsionit dhe klientelizmit të regjimit, nga intelektualë dhe aktivistë që kërkonin ndryshimin e shumëpritur.

“Ne nuk kërcënuam. Ne nuk blemë. Ne nuk vodhëm. Ne nuk përdorëm asnjë mjet shtetëror. Ne nuk pranuam asnjë kriminel.
Ne dolëm në fushatë si njerëz të lirë, ne folëm qartë dhe fortë për vizionin tonë për Shqipërinë, për bijtë dhe bijat e saj, u bëmë zëri i tyre duke frymëzuar shpresë për një të ardhme më të mirë.
Ne i kemi dhënë shqiptarëve programin më të mirë të hartuar në historinë e këtyre 30 viteve, fryt dhe prodhim i ekspertëve më të aftë të vendit dhe bashkëpunimit me ekspertët dhe aleatët perëndimorë.
Fryt i viteve të punës së bazuar mbi studime të gjendjes reale të vendit, në bashkëpunim të thellë dhe të hapur me të gjithë grupet shoqërore, me të papunët, me fermerët, me sipërmarrjen e vogël, me sipërmarrësit e mëdhenj, me prodhuesit, me eksportuesit, me mjekët dhe personelin shëndetësor, me arsimtarët, pedagogët dhe studentët, artistët dhe intelektualët, me elitën e mendjes dhe shpirtit të këtij vendi, me personat me aftësi të kufizuara, me të përndjekurit politikë dhe shoqatat e pronarëve.
Një program me angazhime konkrete, për çdo sektor të shoqërisë, që ofron zgjidhje për të çliruar potencialin e çdo shqiptari, që çliron dhe zhvillon potencialin e Shqipërisë të goditur nga korrupsioni që ka kapur shtetin.
Një program që ka në qendër familjen shqiptare, që synon forcimin e shtresës së mesme, si garante e stabilitetit ekonomik dhe politik të vendit.
Këto angazhime morën një mbështetje masive, sepse ishin rruga e vetme për të nxjerrë Shqipërinë nga stanjacioni dhe qëndrimi për shumë gjatë në vendnumëro. Ndaj ne do të luftojmë me çdo mjet dhe me çdo formë, që këto angazhime të bëhen realitet dhe zëri i qytetarëve që kërkojnë këto ndryshime të dëgjohet.
Distanca që ekziston midis vënies në jetë të këtij programi në dobi të shqiptarëve dhe vazhdimit të një modeli që ka rezultuar i dëmshëm për interesin publik nuk është e madhe, por e vogël sa 30 mijë votat që ndanë, pavarësisht gjithë paligjshmërive, dy kampet tona.
Qytetare dhe qytetarë të nderuar, vendi ndodhet në një udhëkryq mes të shkuarës dhe të ardhmes. Për ne zgjedhja është e qartë, për ne zgjedhja është dhe do të jetë gjithmonë vetëm ajo që është e mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Basha.