Basha e pranon: Kemi një krizë të brendshme në PD, të shkaktuar jo nga përgjegjshmëria e veprimit tim

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ftuar në emisionin Open në Top Channel këtë të enjte e ka pranuar se ka një krizë të brendshme brenda PD-së duke theksuar se nuk është shkaktuar nga papërgjegjshmëria e veprimit të tij.

“Sali Berisha duke folur jo si lider historik, pasi është kërkuar më shumë se kaq. Foli si pronar i partisë, kjo është një kohë e mbaruar, s’ka rëndësi është e tij apo e dikujt tjetër. Lëvizja që Berisha nisi gjoja ishte zbatim i statutit. Padyshim që u vu në lëvizje një dinamikës, një PD e goditur nga vendimi ‘non grata’. E vendosur në kushtet e një ofensivës parlamentare. Një individ që e ka thënë se s’do ta bëjë problem të demokratëve shpalljen ‘non grata’. Kemi një krizë të brendshme të shkaktuar jo nga përgjegjshmëria e veprimit tim. Mund ta kisha hedhur edhe në votë, por nuk do të kishte turp më të madh të shikonim Berishën teksa përjashtohej. Unë nuk jam as Departament i Shtetit, nuk kam për të bërë asnjë koment për këtë çështje”, tha Basha.

Kujtojmë se Lulzim Basha dhe Sali Berisha i kanë shpallur luftë njëri-tjetrit, pasi ky i fundit u përjashtua nga Grupi Parlamentar i PD-së, pasi ishte shpallur ‘non grata’ nga SHBA-ja.

Pas këtij vendimi, Berisha vijon luftën politike me anë të foltoreve të mbajtura me mbështetësit e tij në qytetet e vendit.
Berisha e akuzon Bashën se është marrë peng nga Rama dhe po bashkëpunojnë, gjë që është hedhur poshtë nga kryedemokrati.