Basha bën ‘harakiri’ në Sarandë/ Ndarja territoriale duhet rishikuar

Në kuadër të takimeve “Shpresë për Shqipërinë” të kreut të PD-së, Lulzim Basha është ndalur në Sarandë ku ka bërë “harakiri” me deklaratat e tij publike duke thënë që ndarja territoriale ka dëmtuar veçanërisht opozitën dhe duhet rishikuar.

Ai ka thënë se do të kërkojë një Reformë të re Administrative, por ka qenë vetë Basha, i cili nuk mori pjesë në proçesin për ndarjen e re territoriale, duke ia lënë në dorë Edi Ramës që t’a ndante Shqipërinë siç e donte ai.

“Si kryetar i Partisë Demokratike sot dhe nesër me votën e shqiptarëve me përgjegjësitë e qeverisjes do të jetë prioritet rishqyrtimi i rindarjes administrative, i cili do të bazohet tek opinioni i komunitetit. Jo vetëm në llogaritë partiake, të miat apo të Partisë Demokratike, por do të pyeteni ju dhe do të vendosim së bashku ndarjen më të mirë, duke ndjekur praktikat më të mira europiane.”-tha Basha.

Pavarësisht se Basha u lajmërua se mospjesëmarrja në proces do të ndikonte në zgjedhjet elektorale, sot pas 5 vitesh ka kuptuar gabimin e madh që bëri, duke i ikur përgjegjësive si përfaqësuesi i demokratëve.

Sot ai ka pranuar njërin nga dështimet e shumta të tij, ku i largohet çdo përgjegjësie për vendosjen e fatit të shqiptarëve.

Lulzim Basha është mësuar të mos mbajë përgjegjësi për vendimet e veta, pasojat e të cilit i vuajnë qytetarët shqiptarë.  Ai refuzoi të marrë pjesë në procesin e reformës administrative para 5 viteve, ndërsa sot ka refuzuar të përfaqësojë shqiptarët në Parlament, duke ia lënë përsëri në dorë Edi Ramës që të vendosë si të dojë emërimet e reja në Drejtësi. Kujtojmë se edhe kur refuzoi të merrte pjesë në zgjedhjet lokale të 31 Qershorit, sërisht Basha ia la në tavolinë 61 bashki Edi Ramës, duke iu shmangur përgjegjësive në administrimin lokal.

Kur do mbajë ndonjë përgjegjësi për interesin publik, Lulzim Basha?/apel.media