Basha akuza Ramës: Nuk është hera e parë që gënjen për pandeminë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nga foltorja e Kuvendit akuzoi qeverinë “Rama” se ka mashtruar në lidhje me mbarëbvajtjen e situatës së pandemisë, që nga numri i vdekjeve dhe deri te skema e rimbursimit të ilaçeve për të sëmurët me COVID.

Lideri demokrat tha se traditë e kësaj qeverie është se ajo çka thuhet, nuk bëhet.

“Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar qytetarë,
Rendi i ditës së sotme, i cili ka në qendër marrëveshjen me Phizer, vendos edhe njëherë pandeminë në qendër të debatit parlamentar, sic ka qenë në qendër të debatit edhe nw familjet tuaja. Këto ditë është diskutuar në komisione, sigurisht nga përfaqësuesit e opozitës, për vaksinimin dhe diferencën mes shifrave të raportuara nga qeveria dhe ato të raportuara nga entitete ndërkombëtare. Dhe si në traditën më të keqe të kësaj qeverie, ajo që thuhet, nuk bëhet.

Kjo nuk është hera e parë që ndodhë dhe as hera e parë që gënjejnë me pandeminë. Sepse qytetarët tashmë e dinë që kanë gënjyer për ndihmën ekonomike, që kanë gënjyer për rimbursimin e të prekurve nga Covid-19, që kanë gënjyer për tenderat abuziv në kohë pandemie, të mveshura me sekretin shtetëror, por, mbi të gjitha, që kanë gënjyer për numrin e jetëve të humbura. Këtë nuk e themi ne, packa se jemi ne që e paralajmëruam.

Por këtë e konfirmomon edhe raporti i Komisionit Europian, në të cilin njoftohej se Shqipëria kishte shtesën më të lartë të vdekjeve në Europë në vitin 2020. Prandaj, kur të dielën që shkoi deklaroi se ‘do t’ia dalim sic ia dolëm me pandeminë’, ajo fjali triumfaliste, që nuk kishte asnjë lidhje me të vërtetën, tingëlloi si një shuplakë për atë që kanë hequr qytetarët e këtij vendi, ndërkohë që Edi Rama shfaqej nga mëngjesi deri në dark nëpër ekrane, për të mbushur me dokra, boshllëkun që krijoi mungesa e ndihmës reale.

Një shuplakë jo vetëm për familjet që u ndanë nga të dashurit e tyre, duke kaluar një kalvar të gjatë vuajtjesh dhe sakrificash, që kjo qeveri nuk njeh dhe mohon, por edhe për ata qindra-mijëra të tjerë që shpenzuan kursimet e tyre për të gjetur shpëtim, sepse ky pushtet kishte larë duart me ta. Dhe e dimë që nuk kanë shpenzuar pak. Mesatarisht 1.000 dollarë për tampon, ilace e oksigjen, për të gjithë ata që u kuruan në kushte shtëpie, ndërkohë që skema e rimbursimit dështoi, duke mos lehtësuar barrën e rëndë të pandemisë në xhepat e drobitur të qytetarëve më të varfër të Europës.
Dhe në fund të Europës e lanë Shqipërinë edhe për masat gjysmake që ofruan”, tha Basha.