“Barazimi ndaj Hungarisë, jo rezultat pozitiv”/ Zekaj: Kosta Grillo, simbol i profesionalizmit

Gazetari i njohur i sportit, Xhevdet Zekaj, i ftuar në emisionin “Sport Zone” në MCN TV, foli për ndarjen nga jeta të ish-komentatorit Kosta Grillos, për të cilin tha se ishte simbol i profesionalizmit. Gjithashtu më tej ai foli edhe për mungesën e një shoqate për gazetarët në Shqipëri.

“Ishte një simbol i profesionalizimit. Ishte një qytetar i lirë dhe fisnik. Ishte një gazetar, që nuk shkelte parime. Nuk merrej me llafe. Por i duronte brenda vetes. Kush kishte fatin që të rrinte me të, kur shkoja, shkoja me emocionin e familjes Grillo.

Shoqatat e gazetarëve? E kam thënë shpeshherë, nga viti 2006-2007, arrita të diskutoja me gazetarë. Njerëzit mendonin se doja të isha në krye të shoqatës. Nuk ka një shoqatë mbrojtje për gazetarët si e gjithë bota. Shoqata nuk do i zgjidhte të gjitha hallet gazetarëve, por do kishte një zë, mund të punohej si një familje.

Në një trajnim na thanë që e teprojnë ndonjëherë gazetarët, por i thashë që ky është faji i tyre dhe jo i yni. Nuk duhet ta duam njëri-tjetrin, kur jemi keq apo vuajmë. Ku ishin këta njerëz kur Kosta ishte gjallë, kur e hoqën nga puna, ku kanë qenë këta gazetarë pse nuk i ftonin në gazetat apo mediat e tyre.

Ekrani mua nuk më ka munguar asnjëherë. Nëse nuk ke mik, nuk çan dot në ekrane të mëdha, si ‘Supersport’. Kur kanë qenë këta, që nuk ftojnë gazetarë. Unë i fus në xhep 1.2 milionë lekë në muaj, po këta të tjerët?!
Varrimi për Grillon do bëhet në Himarë. Kosta është një mesazh që duhet ta kemi parasysh të gjithë. Ishte njeriu që abuzoi për vaksinimin dhe ne duhet të shikojmë shëndetin. E përbuzte fushatën anti-vaksinim. Ne duhet ta ndryshojmë këtë sjellje.”, u shpreh Zekaj fillimisht.

Më tej ai komentoi edhe situatën e Kombëtares shqiptare, duke thënë se në rast të një barazimi me Hungarinë, atëherë ëndrra për vendin e dytë në grup do të shuhej.
“Vendi i dytë nuk është aspak i vështirë. Është skuadra më e mirë që kemi ndër vite, në kualitete, por jo ne suksese siç ishte Europiani i 2016. Mbrojtja që luan në kampionatin italian. Kemi Gjimshitin, që ka përballur lojtarë shumë të mëdhenj. Kemi një sulm shumë të mirë, i cili tani ka rritur konkurrencën. Mesfusha me Laçin dhe Bajramin, ka marrë formë tjetër.

Ne i urojmë shërim sa më të shpejtë Hoxhallarit dhe Vocit që rezultuan me Covid. Janë dy ndeshje super të vështira. Nëse nuk fitojmë në Budapest, i themi lamtumirë vendit të dytë. Barazimi nuk është rezultat pozitiv. Nëse barazojmë me Hungarinë, ëndrra shuhet. Ëndrrat janë pa lekë, mjerë ai që nuk ëndërron.

Kombëtarja të jetë e mobilizuar. Ky është fat i madh që hungarezët nuk kanë tifozët.
Duhet të jetë fundi i trajnerit, pas kualifikueseve. Duka është bërë specialist për të bërë zgjedhjet e duhura dhe mbështetet te italianët. Nëse Shqipëria del e treta, Reja do marrë konfirmimin për të qëndruar në drejtimin e Kombëtares”, përfundoi Zekaj.