Banorët e Bërxullës protestë para hipotekës: Rrugën nuk do e lëmë edhe sikur të na zhdukin të gjithëve
Banorët e Bërxullës pas më shumë se 6 muajsh protestë pë pronat e kanë zhvendosur protestën e tyre para Hipotekës, ndërsa kundërshtojnë projektin për rrugën Thumanë-Kashar.
“Që të zhvillohet rruga pa na dhënë neve titujt e certifikatës së pronësisë, s’do bëhet” shprehet njëri prej banorëve.
“Prej disa kohësh titujt e pronësisë tona qëndrojnë në sirtarë dhe nuk na i japin. Më vjen një përgjigje dhe ku thuhet; se ju nuk mund ta merrni pronësinë, pasi shtëpia nuk ka çati. I bëj thirrje drejtorit të ri të Hipotekës, dhe zonjës Dallëndyshe që të vihen në lëvizje. Që të zhvillohet rruga pa na dhënë neve titujt e certifikatës së pronësisë, s’do bëhet. Ne rrugën nuk do e lëmë të zhvillohet, sikur të na zhdukin të gjithëve. Po na soset durimi. Mirë që nuk kanë marrë asnjë masë për të nisur dëmshpërblimet e banesave, dhe të akomodoheshin diku, por s’kemi as titujt e pronësisë. Për ne ka kosto të madhe, është dhe dëm ekonomik. Po t’i punojmë tokat, nesër do vijnë ta na i prishin. Se dimë se ku do të përfundojmë nesër. Afati ynë është deri të martën”, tha një prej banorëve.