Banka e Shqipërisë përcakton kriteret për riprodhimin e kartëmonedhave

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar këtë muaj një rregullore të posaçme “Për kriteret për riprodhimin e kartëmonedhave dhe monedhave metalike në Republikën e Shqipërisë”. Këto krite...
Banka e Shqipërisë përcakton kriteret për riprodhimin e kartëmonedhave
Foto: Banka e Shqipërisë përcakton kriteret për riprodhimin e kartëmonedhave

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar këtë muaj një rregullore të posaçme “Për kriteret për riprodhimin e kartëmonedhave dhe monedhave metalike në Republikën e Shqipërisë”.

Këto kritere kanë synim të shmangin krijimin e riprodhimeve që mund të krijojnë konfuzion te përdoruesit apo të përdoren qëllimisht për transaksione pagesash.

Sipas rregullores, nuk lejohen riprodhimet të cilat mund të ngatërrohen nga publikun i gjerë si kartëmonedha të vërteta. Prodhimi, posedimi, transportimi, shpërndarja, shitja, promovimi, përdorimi i tyre apo përpjekja për t’u përdorur në transaksione është e ndaluar.

Riprodhimet do të klasifikohen si jo të ngatërrueshëm nga publiku i gjerë për kartëmonedha të vërteta, në rastin kur plotësojnë të paktën njërin prej kritereve të përcaktuara nga rregullorja.

Njëri kriter është që riprodhimet të pasqyrojnë vetëm një faqe të kartëmonedhës, me kusht që përmasat e riprodhimit të jenë të barabarta ose më të madha se 125% e gjatësisë dhe gjerësisë njëkohësisht, ose të barabarta apo më të vogla se 75% e gjatësisë dhe gjerësisë njëkohësisht të kartëmonedhës përkatëse.

Riprodhimet mund të pasqyrojnë edhe të dy faqet e një kartëmonedhe, por me kusht që përmasat e riprodhimit të jenë të barabarta ose më të madha se 200% e gjatësisë dhe gjerësisë njëkohësisht, ose të barabarta ose më të vogla se 50% e gjatësisë dhe gjerësisë njëkohësisht të kartëmonedhës përkatëse.

Kriter tjetër mund të jetë që ato të jenë riprodhime të çdo elementi të veçantë të dizenjos së një kartëmonedhe, me kusht që një element i tillë dizajni nuk është shfaqur mbi një sfond që i ngjan një kartëmonedhe ose të jenë riprodhime vetëm në një faqe dhe shfaqin pamjen e pjesshme të faqes së përparme ose të pasme të një kartëmonedhe, me kusht që kjo pjesë të jetë më e vogël se një e treta e kartëmonedhës origjinale.

Kriter tjetër është riprodhimet të jenë të bëra prej një materiali qartësisht të ndryshëm nga letra ose polimeri, i cili duket qartësisht i ndryshëm nga materiali i përdorur për kartëmonedhat origjinale. Gjithashtu, ato mund të jenë riprodhime elektronike të vendosura në faqe interneti që mund të aksesohen nga publiku, me kusht që fjala “SPECIMEN” të jetë vendosur diagonalisht përgjatë riprodhimit në shkrimin Arial ose një shkrim tjetër i ngjashëm me Arial dhe rezolucioni i riprodhimit elektronik në përmasat 100% të mos kalojë nivelin 72 dpi (pika për inç), etj.

E njëjta logjikë vlen edhe për kartëmonedhat, ku rregullorja ndalon riprodhimet cilat mund të ngatërrohen nga publiku i gjerë për monedha metalike të vërteta.

Veçanërisht ndalohen riprodhimet që konsistojnë në vendosjen e imazhit të monedhës metalike në një disk prej metali, prej të cilit janë shtypur monedhat e vërteta, ose prej një metali me ngjyrë të ngjashme, veti të ngjashme elektromagnetike dhe parametra teknikë si masa dhe dimensionet e njëjta ose të ngjashme me parametrat e monedhës së vërtetë. Riprodhimet do të konsiderohen se nuk ngatërrohen nga publiku i gjerë si monedha metalike të vërteta, në rastet kur janë 25% më të mëdha ose më të vogla se përmasat e monedhës së vërtetë dhe janë të prodhuara në materiale qartësisht të ndryshme nga metali, të tillë si letra, druri ose plastika etj.

Sidoqoftë, edhe në rastet e riprodhimit të kartëmonedhave apo monedhave metalike që nuk plotësojnë kriteret e mësipërme, Banka e Shqipërisë mund të japë autorizimin për përdorimin e këtyre riprodhimeve, kur ajo krijon bindjen se nuk ka rrezik që ato mund të ngatërrohen nga publiku i gjerë me para të vërteta. Për marrjen e një autorizimi të tillë, subjektet duhet të paraqesin një kërkesë me shkrim në Bankën e Shqipërisë./Monitor.al