Një studim i Bankës Botërore në Tiranë, vëren se matësi  i përgjithshëm i perceptimit të korrupsionit dhe ryshfetit në vendin tonë, është rritur dukshëm në krahasim me anketën e mëparshme. Firmat që e quajnë korrupsionin si pengesën e tyre kryesore,  nga viti 2013 ka një rritje mjaft të vogël nga 6 në 8 përqind. Shumë përgjigje sugjerojnë përmirësime.

Në procesin e sigurimit të kontratave nga qeveria, pjesa e firmave që raportojnë korrupsion u ul nga 40 përqind e firmave në 2013 në 15 përqind në 2019. Përveç kësaj, korrupsioni në procesin e marrjes së lejeve të ndërtimit ka rënë nga 32 përqind e firmave të anketuara në 2013, në 17 përqind në 2019. Matës specifik ku perceptimi i korrupsionit është rritur janë: gjatë ndërveprimit me administratën tatimore, procesi i marrjes së licencave të importit, në vendosjen e lidhjes së energjisë dhe ujit.

Ndryshimet në perceptime vijnë nga  përvoja të drejtpërdrejta, aspekte që Vrojtimi i Ndërmarrjeve nuk i mat. Për më tepër, vrojtimi vë në dukje se firmat janë bërë më të drejtpërdrejta në shprehjen e ankesave për të gjitha aspektet e operacioneve të biznesit të tyre.

Ky është një zhvillim pozitiv pasi paraqitja e ankesave ndihmon në identifikimin e çështjeve që duhen adresuar. Lista e pengesave kryesore që bizneset hasin në veprimtarinë e tyre ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme që nga viti 2013, por taksat dhe shkalla e lartë e informalitetit,  kanë mbetur në krye të listës ndër vite.

Në përgjithësi, siç mbështetet nga gjetjet e këtij studimi, mjedisi i biznesit në Shqipëri mund të përfitojë ndjeshëm duke vazhduar progresin në reformat që lidhen me sistemin e drejtësisë, qeverisjen dhe ofrimin e shërbimeve publike, arsimin, infrastrukturën dhe qasjen në financa.

Banka Botërore po punon me qeverinë shqiptare për të kapërcyer shumë pengesa të identifikuara në Vrojtimin e Ndërmarrjeve. Një shembull i fundit është Projekti Rajonal për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit, i cili synon të ulë kostot e tregtisë dhe të rrisë efikasitetin e transportit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor. Vetëm kjo iniciativë pritet të ulë kostot e eksportit dhe importit me më shumë se 10 përqind. Autoritetet shqiptare dhe Banka Botërore po punojnë ngushtë së bashku për thellimin dhe diversifikimin e sektorit financiar në mënyrë që të krijojne mundësi për ndërmarrjet për të investuar dhe rritur.