Balla mbledh deputetët socialist një orë para mbledhjes së Parlamentit

Një orë para mbledhjes së Kuvendit, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla do të mbledhë në seli deputetët për t’i dhënë direktivat e fundit. Mësohet se në orën 16:00, njëjtë me orën e mbledhjen e grupit demokrat, Balla takon socialistët.

Ditën e sotme, në orën 17:00, Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sërish për të tretën herë, por me në krye Lindita Nikollën. Në seancën e sotme, kryeministri Edi Rama pritet që t’i prezantojë deputetëve në Kuvend programin qeverisës të Partisë Socialiste si edhe emrat e kabinetit të ri qeveritar.

Përveç çështjes së qeverisë së re, sot deputetët duhet që të votojnë edhe për përbërjen e 8 komisioneve të përhershme; 5 prej të cilave drejtohen nga maxhoranca dhe 3 nga Partia Demokratike. Po ashtu do të duhet që të ngrihet edhe Byroja e Kuvendit dhe Sekretariatet, të cilat do të drejtojnë Kuvendin e deputetët për 4 vitet e ardhshme.