Bahri Cani/ Çfarë mund të presim nga samiti i BE-së me Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut…?

Nga Bahri Cani – Gazetar , Deutsch Welles Përgjigja më e shkurtër do të ishte – vetëm mjegull. Por do të përpiqem ta shpjegoj pak, pse mendoj kështu. Tema kryesore e samitit mes Bashkimit ...
Bahri Cani/ Çfarë mund të presim nga samiti i BE-së me Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut…?
Foto: Bahri Cani/ Çfarë mund të presim nga samiti i BE-së me Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut…?

Nga Bahri Cani – Gazetar , Deutsch Welles

Përgjigja më e shkurtër do të ishte – vetëm mjegull. Por do të përpiqem ta shpjegoj pak, pse mendoj kështu. Tema kryesore e samitit mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në Slloveni duhet të jetë mbetja hapur e perspektivës për anëtarësim. Por BE ka kohët e fundit më shumë probleme me veten sesa me çështje të tjera. Sllovenia ka kërkuar që të hapet perspeptiva e antërësimit deri në vitin 2030, ndërsa vendet anëtare, sipas të gjitha gjasave, kanë rënë dakord që vetëm të thonë se “progresi drejt anëtarësimit varet nga përparimi i bërë nga vendet kandidate.”


Në këtë mënyrë u shmang skandali i mospajtimeve mes vet vendeve të BE, por me siguri që nuk është zgjidhur problemi. Së pari Greqia kushtëzonte Maqedoninë e cila u detyrua të ndryshojë edhe emrin, ndërsa tani Bullgaria e konteston vet ekzistencën e Maqedonisë së Veriut. E Shqipëria mbetet pengë e këtyre mosmarrëveshjeve mes Sofjes dhe Shkupit.
Vet presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e pranoi gjatë vizitës në rajon se të dy vendet, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, i kanë përmbushur “të gjitha kushtet”. Por Bullgaria që aktualisht qeveriset nga një qeveri kalimtare, nuk dëshiron të marrë asnjë vendim. E kjo ka bllokuar procesin, ndërkohë që Tiranës dhe Shkupit i është premtuar nisja e negociatave para dy vitesh.
E për Kosovën nuk flitet fare. BE-ja mund të jetë e lumtur që atje nuk ka incidente e konflikte, dhe ate kryesisht duke i falënderuar “rrahjes së tavolinës” nga SHBA, më mirë të themi angazhimit amerikan në zgjidhjen e tendosjeve në veri të Kosovës. Kosova mbetet edhe më tej “kafazi” i Evropës, qytetarët e saj janë të vetmit që nuk mund të lëvizin pa viza, edhe pse Kosova ka plotësuar më shumë kushte se çdp vend tjetër. Një skandal i llojit të vet – sjellja e krerëve të BE-së.


BE ende nuk ka arritur të bindë pesë vendet e mbetura të këtij organizmi të njohin Kosovën. Dhe nuk janë as afër t’i bindin. Nëse BE mendon se me grante prej 9 miliardë euro për projekte infrastrukturore dhe me investimin e 30 miliardë eurove atje, do të zgjidhë problemet në Ballkan, atëherë ende nuk ka arritur ta kuptojë Ballkanin. Sikur nuk ka mësuar asgjë në 30 vitet e fundit.
Nga BE nuk pritet asnjë hap serioz në këtë periudhë. Pritet formimi i qeverisë në Gjermani, zgjedhjet presidenciale vitin e ardhshëm në Francë, qefet e Holandës që kanë prapë lidhje me problemet e brendshme, e pastaj zgjedhjet në ndonjë vend tjetër, lufta kundër pandemisë, problemet në Afganistan, refugjatët nga mbarë bota, problemet në tregtinë me Kinën e Rusinë…


BE nuk duhet të befasohet nëse Rusia, Kina, Turqia apo dhe ndonjë vend tjetër lëshon rrënjë edhe më thellë në Ballkan – në veçanti në disa vende që edhe ashtu janë të pripra për influenca të këtilla. Zgjidhja tjetër është të merret seriozisht me këtë rajon, që së bashku me SHBA-në, të zgjidhë problemet thelbësore në Kosovë, Bosnje-Hercegovinë, Maqeoni të Veriut. Por kam frikë se edhe shumë kohë do të shohim këtë politikën e vakët të Brukselit, e kjo i shkon në favor disa forcave në Ballkan. Ju e dini cilave!