Avionë luftarakë, helikopterë e tanke në aksion, Irani tregon forcën para inaugurimit të Biden

Ushtria e Iranit ka nisur një stërvitje të madhe të forcave tokësore përgjatë bregdetit të Gjirit të Omanit, mes përshkallëzimit të tensioneve me SHBA për programin bërthamor.

Televizioni shtetëror i Iranit raportoi se njësit komando, por edhe forcat ajrore po marrin pjesë në këtë stërvitje. Stërvitja është duke u mbikëqyrur nga shefi i Ushtrisë Kombëtare të Iranit Sayeed Abdelrahim Mousavi. Kjo ngjarje vjen vetëm 4 ditë pas testimit të raketave balistike dhe vetëm një ditë para inaugurimit të presidentit të zgjedhur në SHBA, Joe Biden.

Ndërsa administrata e Trump hyn në ditën e saj të fundit, tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit mbeten të larta. Në anën tjetër, Joe Biden ka dhënë sinjale se do të jetë më i butë, duke premtuar se do t’i rikthehet paktin par marrëveshjen bërthamore.