Av. Lapaj gëzohet për problemin që iu zgjidh, vajzës që nëna e lidhte me zinxhirrë

Merr fund kalvari i vuajtjeve, vajza që mbahej me zinxhir shtrohet në spitalin psikiatrik të Shkodrës. Av. Lapaj shkruan:

U KRYE!

Nga sot ajo do jetojë pa zinxhirë! Nga sot më pak turp për ne si shoqëri.

Vajza 31 vjeçare me probleme të shëndetit mendor nuk do të lidhet më me zinxhirë. Ajo tashmë do të trajtohet në Spitalin Psikiatrik të Shkodrës për një periudhë paraprake prej 30 ditësh. Mandej do të sistemohet në një prej qendrave rezidenciale të shtetit tonë.

Jam i lumtur!

Pas 2 ditësh thirrje erdhi reagimi. Ministria e Shëndetësisë ka ngarkuar Këshilltarin për Çështjet Sociale Z. Alfred Muharremi për ndjekjen e rastit dhe zgjidhjen.

Sot vajza u shtrua në spital.

Sot, Shërbimi Social Shtetëror me Bashkinë e Kurbinit shkatërruan banesën e rrënuar nga tërmeti ku jeton nëna e moshuar me vajzën tjetër dhe do fillojnë ndërtimin e shtëpisë së re. Familja jetonte në kontenier e në rrënoja prej 3 vitesh. E trishtë! Shtëpia do duhet të ishte rindërtuar. Do ta ndjekim deri në fund Bashkinë Kurbin për këtë proces. Uroj mos t’i zvarrisin punimet!

Falenderoj gazetarin Ahmet Zani dhe operatorin Gjok Prenga që na e bënë të njohur rastin!

Falenderoj Z. Alfred Muharremi për reflektimin dhe angazhimin e tij për zgjidhjen!

E bëra publik rastin për të shkundur nga apatia sistemin shëndetësor në lidhje me personat me probleme të shëndetit mendor!

Dua tu kërkoj ju miq të mos pajtoheni me padrejtësinë. Kur e konstatoni ngrini zërin. Ne mund të bëhemi vend më normal nëse nuk e pranojmë padrejtësinë.

Ky rast provon qartë që me këmbëngulje gjërat bëhen.