Autoritetet gjermane po hetojnë rastet e “sindromës Havana” midis diplomatëve amerikanë në Berlin

Gazeta javore ‘Der Spiegel’ raportoi se Zyra policore e Berlinit për hetimin penal (LKA) ka hapur një hetim mbi sulmet e dyshuara me mikrovalë ndaj disa diplomatëve amerikanë në muajin gusht pasi morën informacion nga autoritetet amerikane.

Të paktën dy zyrtarë amerikanë të vendosur në Gjermani raportuan simptoma të ngjashme me ato të “sindromës Havana”, të tilla si dhimbje koke dhe humbje ekuilibri, si dhe vështirësi në gjumë, përqendrim dhe në kujtesë.

“Sindroma Havana” daton në vitin 2016, kur u vu re për herë të parë në mesin e dhjetëra diplomatëve amerikanë në kryeqytetin Havana në Kuba. Që atëherë, mbi 200 raste u raportuan midis zyrtarëve amerikanë dhe anëtarëve të familjes së tyre në të gjithë botën.