Atentati ndaj prokurorit të Durrësit/ Rama: Do t’i nxjerrim ‘ujë të zi’ foleve të krimit

Pas arrestimit të nipit të deputetit socialist, Redjan Rrajës, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama. Përmes një postimi në rrjetet sociale Rama shprehet se do ti nxjerrin ‘ujë të zi’ foleve të krimit të organizuar.

Nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja dyshohet si autor i atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja.

“Përshëndes me respekt punën e shkëlqyer të Policisë së Shtetit për zbardhjen e ngjarjes kriminale, ku u implikua edhe prokurori i Durrësit. Brenda muajit Ligji Special kundër personave të dënuar, akuzuar a hetuar brenda/jashtë vendit për krim të organizuar apo krime të rënda dhe masat speciale kundër KÇK-së. Do t’i nxjerrim “ujë të zi” foleve të krimit të organizuar dhe do të reagojmë frontalisht ndaj gjykatësve e prokurorëve të inkriminuar, që duan “të kapin ç’të kapin”, deri ditën kur kanë radhën e spastrimit nga Vetingu #DerinëFund #ZeroTolerancë”,-shkruan Rama.

Ndërkohë që me 3 tetor, kryeministri Edi Rama foli nga salla e Kuvendit për një prokuror që bashkëpunon me bandat, duke iu referuar Arjan Ndojës.

“Sa kohë kam që e them, këto kanë vënë pasuri marramendëse. Me çfarë i bërë zotrote, faturat e bixhozit në Monte Karlo. Nuk është pushim nga puna vetting por do të hetohet. Sot është prokuror dhe punon për organizatat kriminale dhe u bën shantazh nënpunësve të shtetit. Nuk arreston qeveria, arreston drejtësia dhe procesi i një drejtësie që arreston është ky që po bëjmë”, – ishte shprehur Rama./apel.media