Atentati ndaj prokurorit Ndoji/ Dyshimet për konflikt pronash në Gjirin e Lalzit

Hetimet për zbardhjen e ngjarjes së pak ditëve më parë ku mbetën të plagosur 3 persona, mes tyre prokurori Arian Ndoji, shoferi i tij Andi Maloku si edhe Pellumb Muharremi i njohur me nofkën ‘Rrumi’, ...

Hetimet për zbardhjen e ngjarjes së pak ditëve më parë ku mbetën të plagosur 3 persona, mes tyre prokurori Arian Ndoji, shoferi i tij Andi Maloku si edhe Pellumb Muharremi i njohur me nofkën ‘Rrumi’, janë thelluar nga ana e Policisë kriminale dhe Prokurorisë për Krime të rënda. Pista kryesore për të cilën po heton policia për ngjarjen është konflikti për pronat në Gjirin e Lalzit, ku Pëllumb Muharremi dhe persona të tjerë, pretendonin të investonin. Personat me të cilët Rrumi ka pasur konflikt për pronat, mes të cilëve dhe Plarend Dervishi, janë shoqëruar që ditën e ngjarjes nga policia dhe janë lënë të lirë pasi kanë pasur alibitë e tyre. Nisur nga këto rrethana policia ka dyshime se atentati mund të jetë kryer nga atentatorë me pagesë, të cilët dyshohet se kanë ardhur nga kosova. Dyshimet për lidhjen e atentatorëve me Kosovën janë shtuar pasi automjeti I gjetur nuk rezulton i vjedhur dhe as I regjistruar në Shqiperi. Ai dyshohet të jetë futur në vendin tonë ilegalisht. Ndërsa targat e mjetit kanë qenë të vjedhura në Tiranë.

Burime nga policia bëjn ëtë ditur se grupi hetimor është i përqëndruar në provat materiale të sekuestruar në automjetin e gjetur në rrugën e Ishmit, pranë varrezave e Shkafanës që dyshohet se iu përket atentatorëve. Në atë automjet policia ka sekuestruar 2 armë zjarri kallashnikovë, 2 maska si edhe 1 bidon me lëndë djegëse. Nga këto prova materiale ekspertët po përpiqen të përftojnë shenja të gishtave apo materiale AND-je, për të bërë më pas krahasimin me materialet e personave të skeduar. Pas ekspertizës, armët e zjarrit kanë rrezultuar funksionale dhe mund të kryenin qitje. Në laborator ekspertët po bëjnë krahasimin e gëzhojave të gjetura në vendngjarje me ato që prodhojnë armët e sekuestruara, për të kuptuar nëse janë ato armë të përdorura në atentatin e së premtes. Kjo pasi ekziston mundësia që mjeti I gjetur në Shkafane mund të jetë një karrem i autorëve për të ngatërruar policinë. Armët e zjarrit po verifikohen për të zbuluar nëse janë përdorur në ngjarje tjetër kriminale. Hetimet vijojnë. Ndërsa të plagosit janë duke marrë ndihmën mjekësore për të superuar situatën e vështirë shëndetësore./ old.apel.media