Astrit Patozi : Parashikimet i kam të zymta për 15 marsin, nuk shikoj asnjë shenjë dhe provë që kjo tryezë do ketë sukses

I ftuar në emision ne nje televizion, Patozi shprehet skeptik sa i përket arritjes së një drafti final sa i përket ‘Zgjedhores’ brenda afatit të përcaktuar, 15 marsit. Nga ana tjetër, zgjidhjen nuk e sheh as tek implementimi i të gjithë rekomandimeve të OSBE-ODIHR, me argumentin se janë të pamjaftueshme për të zgjidhur krizën.

“Parashikimet i kam të zymta për 15 marsin, nuk shikoj asnjë shenjë dhe asnjë provë që kjo tryezë do ketë sukses. E kam fjalën Reformë të qenësishme, madje s’do e quaja as sukses kalimin me të gjithë numrat rekomandimet e OSBE-ODIHR. Unë mendoj që janë të pamjaftueshme se nuk zgjidhin hallin. Mos presim që të huajt të na tregojnë cili është sistemi më i përshtatshëm. Kam frikë se as ato nuk do i bëjmë dot se ka sinjale që PD depolitizimin e komisione e ka të vështirë ta pranojë”, tha Patozi.

Me gjithë rezervat që ka për dy liderët politik të dy partive më të mëdha, Rama- Basha, Patozi flet me bindje se nuk ka një pakt të fshehtë mes tyre i materializuar në letër, por një marrëveshje të heshtur që vjen nga interesa të përbashkëta.

“Nuk ka marrëveshje mes tyre, por kanë interesa të përbashkëta. Basha është gati që ta rrëzojë Ramën nga pushteti dhe kur vjen puna te sistemi zgjedhor, që të ruaj partitë e mëdha, janë bashkë. Kjo është më e dëmshme se të kenë një marrëveshje, se ajo do ishte e përkohshme, një marrëveshje e pathënë ndoshta, i kushton më shumë Shqipërisë. Ka nisur në 2008 me Berishën dhe vijon me Bashën”, tha Patozi, i cili u ndal të komentonte edhe lobimin rus. “Mendoj që PD-ja, sado rezerva të kem për Bashën, nuk ka përdorur paratë ruse dhe as me politikën ruse”, përfundoi në studion e Report Tv, Patozi