Asgjësohen 4945 bimë kanabisi/ Ishin kultivuar në zona të thella malore

Gjatë kontrolleve, shërbimet policore janë përballur me terrene të vështira malore, prandaj është dashur ndërhyrja e punonjësve të FNSH-së, të cilët kanë zbritur me litarë, për të asgjësuar bimët nark...
Asgjësohen 4945 bimë kanabisi/ Ishin kultivuar në zona të thella malore
Foto: Asgjësohen 4945 bimë kanabisi/ Ishin kultivuar në zona të thella malore

Gjatë kontrolleve, shërbimet policore janë përballur me terrene të vështira malore, prandaj është dashur ndërhyrja e punonjësve të FNSH-së, të cilët kanë zbritur me litarë, për të asgjësuar bimët narkotike.

Gjatë kontrolleve në terrene mjaft të vështira, në zona malore, në të gjithë vendin janë konstatuar raste të kultivimit të bimëve narkotike në parcela të vogla, që varionin me 25 deri në 90 bimë.

Konkretisht në qarkun Shkodër janë asgjësuar 3290 bimë narkotike, në qarkun Lezhë 1010 bimë, në qarkun Kukës 316 bimë, në Malësinë e Krujës 225 bimë, në qarkun Gjirokastër 73 bimë dhe në qarkun Dibër 31 bimë, të dyshuara narkotike kanabis.

Bimët narkotike janë asgjësuar me anë të djegies, përveç një sasie të vogël bimësh që është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Strukturat hetimore të DVP-ve ku janë konstatuar dhe asgjësuar bimët narkotike, nën drejtimin e Prokurorive respektive, po vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kultivimit.

Kontrolli masiv i territorit do të vijojë çdo javë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.

Policia e Shtetit është e vendosur për ta luftuar me zero tolerancë veprimtarinë kriminale të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike dhe në këtë kuadër fton qytetarët që të bashkëpunojnë akoma më shumë me Policinë, duke denoncuar raste të paligjshmërisë, në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital.