Artisti arteve pamore Vladimir Myrtezai, intervistë ekskluzive për Apel.Media/ “Mur”–i që “kapërceu” këtë vit, si sukses i padiskutuar

Shpesh artistët e arteve pamore, e kanë të vështirë të adaptohen me fjalën, por jo në rastin e artistit të arteve pamore, pedagogut Vladimir Myrtezai. Kohët e fundit ai sjell për lexuesin e gjerë, librin “Mur” ku gjenden aty brenda personazhe “rrethanorë “ siç janë miqtë e tij. Ky libër dëshmon se shkrimi është pjesë organike e artistit Myrtezai, pa asnjë diskutim.

Në një intervistë ekskluzive për Apel.Media, artisti Myrtezai shprehet se është një kohë që të përqëndron, që të le brenda, që të ngre shumë pikëpyetje dhe për këtë arsye këtë lloj energjie e kam kaluar tek shkrimësia, ose tek forma e të dëshmuarit me fjalë”.

Vlerësuar nga mediat si një artist me imagjinatë edhe në të shkruar, ky zhanër e bën atë të dallueshëm nga artistët e tjerë, një nga penat më me stilistikë.

Sigurisht ai i potretizon personazhet duke u dhënë jetë duke i tipizuar apo edhe përshkruar thellësisht të gjallë. Sikurse e kanë cilësuar edhe kritikët e artit, Ladi mbetet i njëjti me atë artist avandgardist, apo pedagog të ri, që ka qenë dikur, duke përbërë në vetvete, atë personazh të qëndrueshëm, që zgjedh të komunikojë gjithmonë me mënyrat e tij ndryshe.

Intervista Ekskluzive që Apel.Media i mori artistit të arteve pamore, Vladimir Myrtezai.

1. Nje artist i artit pamor me eksperiencë vjen me një libër me titull të çuditshëm “Mur”. Pse zgjodhët këtë titull, a ka ndonjë simbolikë mes përmbajtjes dhe qëllimit për te cilin vjen tek lexuesi gjerë?

“Mur” në përmbajtje apo në shpjegimin e vet si term afrohet si pengesë ,si një masë fizike e ngurrtë e jo depërtuese.Njeriu, qenia në përgjithësi dhe veçmas artisti rritet përmes një shume pengesash të mundimshme. Pengesa që jo gjithherë janë fizike dhe jokaluese përmes këtij tejkalimi apo dialogu të brendshëm , si një kufi që përshkohet përmes zbulimit shkrimësisê. Përshkruhet si gjendje njerëzore që udhëton me njeriun dhe kërkon pasi është kryer si mund të ndahet si eksperiencë njerëzore dhe këtë e bën të mundur për ta bërë të dukshme fjala një medium I hershëm I komunikimit dhe I përsëritjes njerëzore mbi dhè si rrëfim apo trajtë tjetër e ndarjes së historisë shpirtërore të shkruar.Ky “non sens” përbën në thelb filozofinë e simbolikave që akumulojnë në thelb lëvizjen si mentale e shpirtërore e jo si një aksion I zakonshëm tregimi linear.Prishja e tregimit si linear na bën të sillemi në forma të kontradiktuara për të udhëhequr një rrëfim atipik si përsëritje njerëzore në një mënyrë të zgjedhur si aksion vertikal kuptimor.Tingëllimi semantik I fjalës të krijon efektin e kundërt për çfarë libri zbulon si një udhëtim atipik mbi materjen njerëzore.Titulli është vitrine e librit që ngrihet mbi një (Pse?) mbi një kuptim si pengesë për të zbuluar nga brenda hapsirës së krijimit duke e tejkaluar titullin si një lloj pengese interaktive të mendjes mes autorit dhe lexuesit.

Ka dhe një shkak jetësor që e përmbledh ky term .Unë jam një njeri që kam qëndruar shpesh përballë një muri në meditime të zgjatura apo në rrethana fatale përgjatë rritjes time.

Shkrimësia është si një sëmundje nën të cilën shfaqet një sindromë e ndërgjegjes për t’u identifikuar, dhe si e tillë bën çdo përpjekje – të dukshme ose jo – për të dalë në sipërfaqe. Është në natyrën njerëzore që uljengritjet e sjelljes si ndërgjegje të jenë në një trend rendës me egon e lartë të atij që kërkon të ndikojë te të tjerët, por edhe t’i mbushë mendjen vetes me dëshirën e lartë për t’u shenjuar, ose për të krijuar historinë e tij të papërsëritshme, ku na duket se jemi në gjendje ta zgjasim jetën përtej kufirit fizik.

Shpesh më është dukur se kam ardhur në në këtë botë i kryer, por duhet një shkas që kjo përmbajtje të gjejë një dritare për të rrëfyer shtresat nga e cila përbëhet. Udhëtimi im ka qenë i çuditshëm, si një rrjedhojë kontradiktore në marrëdhënie me rritjen. Kur isha i ri ndërtoja fortifikime dhe mure me kode të pathyeshme, me idenë e një vetmitari që duhej kuptuar me mundim dhe sa më larg të përditshmes. Me kalimin e kohës kjo marrëdhënie po e humbiste vlerën e saj në një udhëtim të kundërt, pasojë e një urie për të qenë në rrjedhë e në një komunikim që kërkonte të hapej në në shumë forma e shkaqe jete, por edhe në shumë sinteza të fjetura brenda meje, që kërkonin të përthyheshin në materien njerëzore.

Arti më jepte të drejtën për t’u ndëruar sipas ligjësive të heshtura e të konservuara, si një bllok pengues për të interesuarit. Si i tillë ishte një udhëtim që herë pas here nuk më lejonte të isha në habitatin tipik njerëzor, por nëpër formula e formulime që të fal të menduarit në një territor idesh në kufi me imagjinatën. Kjo lloj lënde më lejonte të notoja në platformat e ndërgjegjes si një nëndetëse e padukshme, që pluskonte nëpër skuta nga më të ndryshmet e në arrati nga më të pakapshmet.

Ndieja se kisha privilegjin e shpikjes së një realiteti që e përfshinin idetë, me të ushqehesha. Shto këtu edhe përvojat brenda lëndës së zgjedhur, për t’u distancuar në një hap të pakontrolluar, shpeshherë edhe nga vetja.

Por, ja që vjen një çast dhe, si ndërgjegje, i ke diçka borxh komunitetit, si të thuash duhet të bëhesh i gjallë, i prekshëm.

Vetë endja nëpër përvoja të ndryshme të shtyn të dëshmosh, nëse jo përmes imazhesh, atëherë përmes fjalës. Besoj se kjo “zgjidhje” vlen për të gjithë ata që gjakojnë të realizohen si ndërgjegje. Po ashtu, këtu luan rol edhe një shkak njerëzor në raport me këtë borxh të fshehtë, ku autori synon të shpjegojë kalimin nga njëri akt shpirtëror dashurie në tjetrin.

Të gjitha rrëfenjat janë një gjendje e hapur dhe e pakontrolluar tashmë nga frikërat e të qenit mesatar, për të orientuar lexuesin në aventurën e papërsëritshme të jetës sonë si hije mbi dhé.

Mur është një koncept i lëvizshëm për një realitet të lëvizshëm ndjesor, ku shenjë pas shenje apo reagim pas reagimi njeriu vetëshenjohet si ndërgjegje, si identifikim, ndaj dhe vjen një çast që kuptimit i jep një trajtë pengese teksa zgjedh një formë të shkruari, një shije/stil të caktuar, gjë që përbën një pasuri që nuk rri dot pa e ndarë me të tjerët. Edhe nga pikëpamja jetësore, muri më ka ndjekur si një personazh që mund të lindë e të vdesë përballë një muri të vërtetë, duke nanuritur e lodruar me qëndresën dhe natyrën njerëzore. Mund të shihet edhe si sëmundje krijuesish të vetëngujuar në një palëvizshmëri me aftësinë përtëritëse, por edhe si një pretekst për të lundruar në të gjithë botën përballë një asgjëje që i ngjan pikërisht një muri. Ky libër mund të kish shumë tituj të tjerë, sepse aty ruhen kursimet e një njeriu në ëndërrim, që kërkon t’i japë vlerë kohës së tij të racionuar, me të gjitha arsyet që i jep vetja për të lënë një shenjë.

Gjithsesi do të më duhej një objekt që të tejkalohesha, si çdo ëndërrimtar apo minator në minierën e mendjes. Prandaj, më duhet të zgjedh një kuti për këtë objekt të shpikur, thjesht si përpjekje për të rrëfyer mundimin që struket në gji.

2. Ju keni konfiduar se ky libër u dedikohet miqve tuaj. Pse ju lindi kjo ide për ta shkruar atë me fjalë, teksa mund të kishit zgjedhur artin pamor sikurse ju jeni profesionist ? Çfarë bën te mundur fjala që e le mangut pamja apo vizualizimi?

Artisti në thelb është i vetmuar dhe shkrimësia është një lloj katarsisi e ndjesë për të qenë pranë njerëzve në stimë e që përpiqet ti afrohet atyre si një miqësi asociuese. Ja kushtoj miqve të mi për shkak se është shkruar me dashuri dhe hapur për shqetësime që ndahen me njerëzit që do.Miqësitë dimensionojnë nganjëherë peshën e njeriut e bëjnë atë të ndjehet i rëndësishëm në një udhëtim bashkëshoqërues mendjesh të bukura e me vlerë. Përse shkruajmë! Që të dimensionojmë kuptimin e qenies dhe tendencën e njeriut në një komunikim të hapur qoftë dhe kontradiktor.Një artist pamor është i privilegjuar në rrëfimet e tij pasi ka kujtesë të pashmangshme vizuale dhe depërtuese për shkak të vetmisë e ngujimit të tij dhe për shkak të natyrës së krijimit.Unë nuk bëj gjë tjetër vecse lodhem të përsëris se unë jam një vepër arti dhe duhem konsumuar qoftë si shkrimësi dhe qoftë si njeri kodesh e shenjash pamore.Kjo është e gjitha thjeshtë. E qartë. Unë nuk e zgjedh objektin por identifikohem në një raport shkak pasojë.

3. A ka në jetën tuaj një personazh tek i cili do të bazoheshit për të ndërtuar një libër tjetër? Nëse po çfarë mesazhi do vlente për të ankoruar të ardhmen apo për të rregulluar të tashmen?

Kam shumë zgjedhje në fletoren time të shënimeve me personazhë interesantë. Janë një lloj udhëtimi me të tillë personazhë që është e nevojshme të bëhen të dukshëm në shkrimësi si forma e sjellje atipike që bashkëshoqërohet me një tipollogji zhvillimi në shoqëri. Janë interesantë e me kolorit jo të zakontë që me ngadalë shëndrrohen në modele me të ngjashmit mbi atë që ndërgjegja e artistit bashkëudhëton në një rrëfim si i pangjashëm e i papërsëritur.

Mesazhi që unë përpiqem të le mes këtij mdërkomunikimi është qenia si një instrument që e zhdërvillon mendjen dhe identifikohet apo shtyhet në të kundërt .Është një udhëtim fantastik përmes limitesh që në fakt janë limitet e kohës që jetojmë. Arti përmirëson cilësinë e jetës me “Pse”-të e shumta që njerëzimi tenton të zbulojë në këtë iteraksion përmes objektit të artit dhe qëllimeve sublime të tij.

Vladimir Myrtezai