Arsimi profesional, 6 në 10 nxënës punësohen para diplomimit

Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Olta Manjani, ishte prezente në workshopin e organizuar në Korçë në kuadër të procesit të optimizimit të ofertës për arsimin profesional.

Në workshop u diskutua rreth dinamikave me të cilat po përballen ofruesit e optimizuar, nevojat për ndryshime në kuadrin ligjor, koordinimi për zbatimin e proceseve të sigurimit të cilësisë dhe dakordësimin e një plani pune me të gjithë aktorët e angazhuar në këtë proces.

Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive me mbështetjen e projektit Aftësi për Punë (S4J) realizoi gjurmimin në nivel kombëtar të të diplomuarve e certifikuarve në arsim dhe formim profesional.

Konkluzioni i këtij gjurmimi ishte se 6 në 10 nxënës të arsimit profesional punësohen para diplomimit.

Në 34 shkollat profesionale në të gjithë vendin janë përfshirë 22 drejtime mësimore, 87 profile profesionale kryesisht në hoteleri-turizëm, shkenca kompjuterike, shkenca mekanike, tekstile, etj.