Arrestohen 4 holandezë, tentuan të rrëmbejnë ministrin belg të drejtësisë

Një person i katërt është arrestuar nga policia, lidhur me një komplot për të rrëmbyer ministrin belg të drejtësisë. I dyshuari, një holandez 21-vjeçar, u ndalua nga policia në Holandë, sipas Zyrës së...
Arrestohen 4 holandezë, tentuan të rrëmbejnë ministrin belg të drejtësisë
Foto: Arrestohen 4 holandezë, tentuan të rrëmbejnë ministrin belg të drejtësisë

Një person i katërt është arrestuar nga policia, lidhur me një komplot për të rrëmbyer ministrin belg të drejtësisë. I dyshuari, një holandez 21-vjeçar, u ndalua nga policia në Holandë, sipas Zyrës së Prokurorit Publik Kombëtar.

Tre meshkuj të tjerë holandezë u arrestuan po në Holandë. Arrestimet erdhën pasi një makinë me armë zjarri u gjet jashtë shtëpisë së ministrit të drejtësisë, Vincent Van Quickenborne në fillim të kësaj jave.

Ministri është vendosur nën mbikëqyrje të rreptë policore, pas një “kërcënimi serioz”, thanë prokurorët federalë. Ata thanë se ishin “informuar javën e kaluar për një kërcënim të mundshëm” për sigurinë e politikanit, kërcënim i cili ishte marrë shumë “seriozisht”. Detajet e sakta të kërcënimit mbeten ende të paqarta.

Gjerësisht është raportuar se bëhej fjalë për një tentativë rrëmbimi. Disa media belge e lidhin komplotin me kriminelë që merren me trafik droge. Prokuroria nuk i ka konfirmuar këto detaje. Pas arrestimit të të dyshuarve, Van Quickenborne shkroi në një postim në Facebook se ai ishte vendosur nën masa të rrepta sigurie dhe nuk do të merrte pjesë në disa aktivitete të planifikuara.

Ai tha se kushdo që punon për të luftuar krimin e organizuar i di rreziqet, duke nënvizuar se do të vazhdojë luftën kundër grupeve kriminale “me më shumë fuqi se më parë”. “Më lejoni të jem i qartë: pas kësaj, njerëzit po arrijnë të kundërtën e asaj që synojnë,” tha ai. “Kjo më forcon bindjen se ne duhet të vazhdojmë të luftojmë. Kriminelët ndihen të bllokuar.”

Kryeministri belg Alexander De Croo tha se kërcënimi ishte “krejtësisht i papranueshëm”, duke shtuar se “ne nuk do të frikësohemi nga askush”. Policia tani po përpiqet të ekstradojë katër të dyshuarit nga Holanda. Hetuesit shkuan tek arrestimet pasi makina ishte me targë holandeze.

Belgjika ka hedhur hapa më të mëdhenj për të luftuar krimin e organizuar javët e fundit, duke shpallur një plan që u jep autoriteteve lokale më shumë fuqi për të luftuar krimin. Qyteti port i Antwerpen ka qenë skenë e përshkallëzimit të dhunës për shkak të drogës. Europol, agjencia policore e Bashkimit Evropian, publikoi një raport që përmend Belgjikën dhe Holandën si “epiqendra të tregut të kokainës në Evropë”. BBC