Arratia e Agim Kajmakut/ Prokuroria vë përpara përgjegjësisë të gjithë noterët

Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka dërguar një shkresë Dhomës Kombëtare të Noterisë në lidhje me arratisjen e Agim Kajmakut.

Sipas informacioneve, Prokuroria ka urdhëruar përmes një shkrese të gjithë noterët, që të lajmërojnë në rast se do të paraqitet pranë tyre.

“Noterët të njoftojnë policinë, nëse para tyre paraqitet Agim Kajmaku. Nëse nuk njoftojnë, noteri do të mbajë përgjegjësi ligjore”,- thuhet në shkresën e Prokurorisë, e cila e mban firmën e drejtuesit të seksionit, Kolë Hysenaj.

Ish-kryebashkiaku i Vorës është shpallur në kërkim për më shumë se një javë, pasi akuzohet për tre vepra të ndryshme penale si; “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve” dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij”.

Sipas ligjit, Kajmaku mund të dënohet deri në 15 vite burg për veprat penale për të cilat akuzohet. Policia e shtetit ka kryer 13 operacione për kapjen e Agim Kajmakut, por që kanë dështuar të gjitha./apel.media