Arqipeshkvi i ri, Imzot Arjan Dodaj jep mesazhin: Të mos trokasim tek dera e tjetrit, e mira është të angazhohemi më shumë për njëri tjetrin

Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkvi i ri i Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës nga ambientet e Kishës Katolike dha mesazhe shprese për jetën.

“Feja dhe besimi janë arsye shprese. Zoti ka një mesazh shprese jete, është mesazhi i Nënë Terezës të përcjellim dashuri të madhe për Shqipërinë. Është një surprizë për mua është një moshë e re por jam i bindur që kishën e mban feja e popullit, papa Francesku e mban populli, në kishë nuk jemi vetëm, e ndjejmë forcën e Zotit. Problemet sociale do të shoqërojnë gjithmonë, kisha katolike me shumë misionarë ka dhënë mesazhe në të gjithë botën. Ne duhet të hapim mendjen tonë për të zbuluar thesaret e pazbuluar në Shqipëri, në vlerën e familjes. Ka thesare që mund të dalin në pah.

Është e rëndësishme që mos humbim vëmendjen që pandemia nuk ka kaluar, secili nga ne duhet të ketë kujdes, jeta është një dhuratë, po nuk e ruajtëm jetën nuk shërbejmë dot as për fenë. Një njeri ka aftësinë të nxjerrë energji të reja, mesazhi është mos trokasim tek dera e tjetrit, e mira është të angazhohemi më shumë për njëri tjetrin. Ka disa ditë që më është emëruar emërimi im, unë preferova që në festën e Shën Andreas të bëj publik këtë vendim. Shqipëria ka qenë gjithmonë një vend ure midis lindjes dhe perëndimit, ne kemi unitetin dhe harmoninë fetare.”, tha ai.

Po ashtu nuk mungoi një mesazh për politikën shqiptare, ndërsa theksoi se politikanët duhet të dëgjojnë ndërgjegjen e njerëzve dhe zërin e Zotit.

“Politika shqiptare ka nevojë për të zbuluar në vetvete ekzistencën e zotit. Mesazhi është që ta dëgjojnë më shumë ndërgjegjen tonë dhe zërin e Zotit. Feja dhe besimi janë arsye shprese, Jezusi na jep atë shpresë që na mungon”, përfundoi Imzot Arjan Dodaj