Arbitri adhuron Haaland, i kërkoi autograf pas ndeshjes (Video)

Në fushë nuk arriti të shënojë dhe Borussia Dortmundi i tij humbi, megjithëse me “karar”, 2-1 ndaj Manchester City. Kualifikimi për në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve mbetet plotësisht i hapur pas sfidës së mbrëmshme në “Etihad”. Erling Haaland do të ketë mundësinë ta kompensojë veten në kthim, pas një jave.

Pavarësisht gjithçkaje, ai ende mbetet shënuesi më i mirë i këtij edicioni të turneut më të madh kontinental për klubet. Fama e një bomberi të vërtetë i paraprin atij kudo, madje edhe në botën e arbitrave.

Mbrëmjen e kaluar, menjëherë pas fishkëllimës së trefishtë, sulmuesi norvegjez u filmua nga kamerat brenda tunelit të stadiumit ndërsa po firmoste një autograf në fletoren e ndeshjes për një nga gjyqtarët e ndeshjes (anësorin Hategan), padyshim një nga admiruesit e tij të shumtë.

Një gjest që nuk e skandalizoi aspak Pep Guardiolën, i cili në konferencën për shtyp u shpreh: “Më thanë, por unë nuk pashë asgjë. Ndoshta gjyqtari është një tifoz i Haaland, kështu që pse jo. Arbitrat ishin shkëlqyeshëm, ndeshja nuk pati asnjë problem”.