Apeli dënon me 15 vite burg Domart Konjarin, prej vitesh në kërkim për kokainë dhe heroinë

Gjykata e Posaçme e Apelit dënoi sot me 15 vite burg Domart Konjarin, duke lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë. Konjari prej disa vitesh në kërkim, u gjykua edhe në Apel në mungesë, për drejtimin e një grupi kriminal për trafik kokaine dhe heroine.

Gjatë procesit në Shkallë të Parë u dëgjuan dhjetëra dëshmi të shtetasve francez dhe një sërë provash të sjella nga Franca. Lirimi në 2015 çoi në arratisjen e tij, duke krijuar një sërë reagimesh për vendimin.

Në dosjen që Krimet e Rënda kanë marrë nga autoritetet franceze, renditen me detaje të gjitha veprimtaritë e Konjarit në Shqipëri, Francë, Holandë, Belgjikë, Spanjë, Itali dhe Gjermani. Hetuesit francezë thonë se kanë ndodhur edhe disa vrasje, ku në dy raste, 42-vjeçari u ka shpëtuar atentateve me armë.

Në dosjen që ka polici rezulton se Konjari është i përfshirë në mënyrë direkte ose indirekte në disa vrasje apo tentative vrasje përveç trafikut të drogës nga Amerika Latine. Rasti i fundit ishte vrasja e Devi Kasmit në Tiranë që dyshohet se është kryer me porosi të Konjarit.