Apeli Administrativ rrëzon KLGJ për gjyqtarin, Demollari: Vijoni procedurat e emërimit

Gjykata e Apelit Administrativ rrëzon Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe e urdhëron atë të emërojë në detyrë një magjistrat, i cili ishte skualifikuar më herët për shkak të problemeve me pasurinë.

Personi në fjalë është Florin Demollarin, i cili ka përfunduar shkollën e magjistraturës në 2019 dhe priste emërimin nga qeveria e gjyqësorit. Sipas ligjit, çdo magjistrat përpara se të marrë emërimin, kalon në filtrat e kontrollit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në mbledhjen e Këshilllit të datës 12 nëntor të këtij viti, u vendos të skualifikohet kandidati Florin Demollari dhe u refuzua të bëhej emërimi i tij si gjyqtar, pasi u konstatua se ai kishte probleme me pasurinë.

Ky vendim u kundërshtua në rrugë gjyqësore nga Demollari dhe pak ditë më parë, gjykata e Apelit Administrativ e shfuqizoi vendimmarrjen e Këshillit duke e urdhëruar atë të vijonte procedurat për emërimin e magjistratit të skualifikuar.

Vendimi në fjalë, pritet t’i hapë rrugë një precedenti të rrezikshëm, pasi mund të shfrytëzohet nga çdo magjistrat që synon të hyjë rishtas në sistem e drejtësisë, kur nuk kalon filtrat e kontrollit.

Thuhet se ky vendim do të kundërshtohet në Gjykatën e Lartë dhe kjo pritet të ndodhë përgjatë vitit 2020. Kjo pasi Apeli Administrativ ende nuk e ka zbardhur vendimin dhe janë të paqarta argumentet që ka përdorur për të shfuqizuar verdiktin e qeverisë së gjyqësorit.

Ndërkohë që këshilli është i detyruar për momentin të zbatojë verdiktin dhe të vijojë me procedurat e emërimit të magjistratit./apel.media