Apel Media/Konfindustria mban qëndrim ndaj HEC-ve të Vjosës, humbjet në ekonomi jo më pak se 550 mln euro

Konfindustria, mbështetur në  studimet e institucioneve më  të  specializuara ndërkombëtare vlerëson, se humbjet ekonomike të  vendit në rast të ndërtimit të  digave të  ...
Apel Media/Konfindustria mban qëndrim ndaj HEC-ve të Vjosës, humbjet në ekonomi jo më pak se 550 mln euro
Foto: Apel Media/Konfindustria mban qëndrim ndaj HEC-ve të Vjosës, humbjet në ekonomi jo më pak se 550 mln euro

Konfindustria, mbështetur në  studimet e institucioneve më  të  specializuara ndërkombëtare vlerëson, se humbjet ekonomike të  vendit në rast të ndërtimit të  digave të  HEC-eve në  Lumin Vjosa janë jo më pak se 550 milion euro. Mbrojtja e Lumit Vjosa nga ndërtimet e digave të HEC-eve, është kthyer praktikisht në një nga kushtet e rëndësishme të pashkruajtura të vazhdimit të  procesit politik të integrimit të  Shqipërisë  në BE.

Vlerësimi i mësipërm është  paraqitur në Forumin Ndërkombëtar të Strategjisë së Zhvillimit të Qëndrueshëm të  Basenit të Lumit Vjosa të organizuar nga Konfindustria. Lobime të fuqishme politike të BE, akademikë, shkencëtarë të universiteteve të njohura ndërkombëtare dhe të vendit, trupit diplomatik, etj., kanë kërkuar nga qeveritë shqiptare në vazhdimësi mbrojtjen e Lumit Vjosa nga ndërtimet e HEC-eve. Vjosa  është konsideruar si një  pasuri jo vetëm e Shqipërisë, por e gjithë Europës për shkak të pasurive të  jashtëzakonshme natyrore.

Konfindustria vlerëson, se  është e domosdoshme, që  ekzekutivi shqiptar të  fillojë punën për shpalljen zyrtare të gjithë basenit të lumit të Vjoses si “Park Kombëtar”, sipas standardeve ndërkombëtare. Premtimi për sa më  sipër  është bërë publik nga Kryeministri Z. Edi Rama, shoqëruar me vendimin e mirëpritur për mosdhënien e lejes mjedisore për HEC-in e Kalivacit. Shpallja e basenit të Lumit Vjosa në gjithë  gjatësinë e tij nga kufiri me Greqinë deri në Detin Adriatik, si zonë e mbrojtur me statusin e “Parkut Kombëtar” do të rrëzonte dyshimet e shprehura publikisht nga institucionet ndërkombëtare, se kemi të bëjmë vetëm me tërheqje taktike të qeverisë  para zgjedhjeve të 25 prillit 2021 për mosndërtimin e digave të HEC-eve në Lumin Vjosa dhe jo vendim përfundimtar.

Veprimi i mësipërm do të krijojë kushtet për tërheqjen e sigurt të qindra milionë euro financime ndërkombëtare. Financimet do të shkojnë në zhvillimin e industrisë  turistike, infrastrukturës, prodhimit të energjisë nga dielli dhe era, bujqësisë, agroindustrisë, trajtimit të  zeza, mbetjeve të ngurta, etj, me përfitim të të gjithë  banorëve të Rajonit dhe ekonomisë kombëtare.