Informaliteti dhe lufta e pakompromis e qeverisë nuk ndodh shumë larg nga vetë zyra e Kryeministrit. Informaliteti fiskal këtë herë po ndodh vetëm 300 m distancë, përreth Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si dhe zyrës kryeministrore.
Bëhet fjalë për panairin, organizatorët e të cilit, kryejnë një mision tepër të qartë për promovimin e biznesit. Puna e tyre është për t’u falënderuar, por që rregullat e mirëfunksionimit fiskal, përveç faktit se nuk zbatohen nga kompanitë që ekspozojnë dhe tregtojnë produktet e tyre, nuk mbikqyren nga asnjë institucion kompetent.
Qeveria synon që të luftojë informalitetin, ndërkohë që humbet mundësinë e mbledhjes bashkë të disa bizneseve, për t’i sensibilizuar në lidhje me këtë fenomen. Panairet nuk përjashtohen nga asnjë detyrim i pajisjes me kasë fiskale, i lëshimit të kuponit në rast të tregtimit të produkteve, i deklarimit të selisë sekondare për ditët e qëndrimit në ambientin e panairit, si dhe i deklarimit të personave të punësuar gjatë aktivitetit të panairit; edhe pse punësim i përkohshëm.
Panairi i Librit “Tirana 2019”, u hap në datë 13 nëntor në Pallatin e Kongreseve. Në edicionin 22 marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese. Numri i vizitorëve në këtë panair është më i larti në çdo panair tjetër, duke u konsideruar si fluksi më i lartë edhe i vizitorëve që blejnë dhe si rrjedhojë lidhen me transaksionin financiar.
Sipas vëzhgimeve të apel.media, 90% e bizneseve nuk mbajnë paisje fiskale në momentin e tregtimit të produkteve në Panair, ose nuk e ekspozojnë atë në vend të dukshëm. Sipas ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008, neni 122, pika 1, biznesi që nuk posedon kasë fiskale gjobitet duke filluar me 50,000 lekë (të reja) dhe në rast se kjo është hera e dytë që konstatohet diçka e tillë, atij mund t’i bllokohet aktiviteti për 15 ditë.
Po edhe në rastin se është i pajisur me kasë fiskale, dhe e mban atë në vend të dukshëm, por nuk lëshon kupon tatimor, atëherë rrezikon të gjobitet me 50,000 lekë (të reja) dhe rivlerësim tre mujor të xhiros.
Në videon e paraqitur më poshtë, mund të shikohet mjaft mirë se si tregtohen produktet, pa dhënë kuponin tatimor qytetarit. Në pjesën më të madhe të rasteve njerëzit japin lekët për të blerë një produkt, por nuk u jepet kupon tatimor.
Ligji parashikon gjithashtu gjoba edhe për vetë konsumatorët, të cilët nuk e marrin kuponin tatimor nga blerësi.
Sipas ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008, Neni nr. 125, mosmarrja e kuponit tatimor nga blerësi gjobitet në vlerën 1.000 lekë (të reja).
Jo vetëm mungesë mbikqyrje nga Minsitria e Financave dhe Ekonomisë, por edhe mungesë e plotë vëmendje për këto aktivitete, të cilat mund të shfrytëzohen edhe për sensibilizimin e sipërmarrjes duke qenë se është një numër i konsiderueshëm pjesëmarrësish dhe vizitorësh, nëpërmjet aktiviteteve, seminareve apo edhe takimeve intervistuese me biznesin nga adminsitrata tatimore, doganore dhe të tjera institucione të vartësisë së kësaj Minsitrie, si kupola e shërbimeve ndaj biznesit.
Mungesa e mbikqyrjes, favorizimi i informalitetit në të tilla grupime, janë shkak i dëmtimit të konkurrencës së ndershme dhe mangësi e lartë e standartit të zbatueshmërisë së legjislacionit fiskal.
Apel apelon për seriozitet nga ana e qeverisë në luftën ndaj informalitetit, që në këtë rast më shumë se luftë duhet të jetë fushatë edukimi për lëshimin dhe tërheqjen e kuponit. Apel apelon për bashkëpunim më të madh edhe nga vetë bizneset, qofshin këto librashitës apo luleshitës edhe pse për këto të fundit, nismat ligjore për t’i stimuluar nuk kanë munguar./apel.media