“Anëtari i Gjykatës Kushtetuese probleme me pasurinë”/ Apelon vettingun Besnik Muçi

Pasi arriti të kalojë shkallën e parë të vettingut në vitin 2018, Prokurori Besnik Muçi, po përballet edhe njëherë me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Komisioneri Publik deklaroi se anëtari i Gjykatës Kushtetuese ka probleme me pasurinë dhe figurën morale. Raporti i DSIK thotë se Muçi ka kontakte të papërshtatshme me një biznesmen, i cili rezulton me probleme ligjore. Komisioneri kërkoi që provat të paraqiten në gjuhën shqipe, pasi nuk tregojnë ndonjë rezultat të ndryshëm nga ai i mëparshmi.

Nga ana tjetër prokurori Muçi, ka kërkuar më shumë kohë deri sa të mbërrijnë aktet nga Turqia, për t’i paraqitur ato në gjuhën shqipe dhe në anglisht.

“Kërkoj të administrohet si provë bilanci i kompanisë turke, që është një nga huadhënësit. Aktet e dërguara nga Turqia, për bilancin financiar pozitiv të kompanive të një prej huadhënësve të mi në Turqi ende nuk ka mbërritur. Kam konfirmuar që është nisur nga posta turke, por nuk ka mbërritur në atë shqiptare. Nëse më jepni kohën e nevojshme, deri në mbërritjen e tyre. Kam konstatuar se qëndrimi i KPK, lidhur me shpenzimet për jetesë të subjekteve, ka qenë duke iu referuar INSTAT-it”,- shprehet anëtari i Kushtetueses.

Besnik Muçi ka mbaruar studimet në vitin 1995 dhe ka punuar për 20 vjet si prokuror./apel.media