Andi Përmeti zbulon rrugëdaljen e evitimit të përplasjeve për Gjykatën Kushtetuese

Deputeti i Bindjes Demokratike, Andi Përmeti ka folur në lidhje me ngjarjet më të fundit të përplasjes së politikës me drejtësinë. I ftuar në emisionin “Dita Jonë”, Përmeti foli për konfliktin Meta-Ra...
Deputeti i Bindjes Demokratike, Andi Përmeti ka folur në lidhje me ngjarjet më të fundit të përplasjes së politikës me drejtësinë.
I ftuar në emisionin “Dita Jonë”, Përmeti foli për konfliktin Meta-Rama, ku sipas tij të dy janë gabim.
Mes të tjerave ai theksoi se të dyja palët po luftojnë për të kapur Gjykatën Kushtetuese. Andi Përmeti komentoi gjithashtu edhe kandidaturat për anëtarë të GJ-së, ku tregoi se zonjat që luftojnë për të zënë pozicionin e anëtarës, janë të komanduara nga dikush. Kjo pasi sipas tij faktet tregojnë se prioritet për to është ose komandimi ose vendi i punës. “Kur nuk mbajtën dot këtë presion imagjino më vonë që presioni do jetë më i lartë”,- tha Përmeti.
Ai përmendi edhe zhgënjimin në popull mbi drejtësinë e re, pasi lufta për të kapur Gjykatën Kushtetuese tashmë po kuptohet qartë.
 “Të dy palët janë në shkelje ligjore. Më shumë sesa po kujdesen për të ngritur atë që ne e kemi quajtur drejtësia e re, po kujdesen për të kapur Gjykatën Kushtetuese dhe drejtësinë. Zgjidhja për këtë do të ishte e thjeshtë. Të dyja palët duhet të prisnin ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe më pas do të ishte vetë kjo gjykatë që do të shprehej se kujt i caktonte mandati. E gjitha shpresa që po ngrihet një drejtësi e re pati një zhgënjim në popull.
Të dyja zonjat, njëra rendi të bënte një betim te noterja, për të cilin ajo e di shumë mirë se si është Kushtetuta, ndërsa tjetra shkoi te Presidenti kur e di shumë mirë që është zgjedhur jashtë afatit kushtetues. Të dyja këto i treguan shqiptarëve që vendi i punës është më i rëndësishëm për to se mbrojtja e ligjit”,- tha deputeti.
Ndërsa komentoi përplasjen mes dy zonjave që synojnë të mbushin vakancat për anëtare të Gjykatës Kushtetuese.
“Dy zonja u bënë lojë e politikës, por asnjëra s’ka pse jep dorëheqje. Duhet të mësohemi që fjalën e fundit ta thotë ligji. E vertmja dalje është durimi. Ngelem dy vite pa Gjykatë Kushtetuese. Sigurisht që është e rëndë, por sat ë përshkallëzohet situata është më mirë të presim me durim edhe një muaj.
Zonjat treguan që janë komanduar nga dikush, ato janë zonja profesioniste, por faktet tregojnë se prioritet për to është ose komandimi ose vendi i punës. Kur nuk mbajtën dot këtë presion imagjino më vonë që presioni do jetë më i lartë.
Më tej, ai foli edhe në lidhje me rezolutën parlamentare, të miratuar në seancën e fundit të Kuvendit, për të cilën tha se duhet pritur ngritja e Gjykatës Kushtetuese.
“Rezolutën e kam abstenuar sepse kjo nuk zgjidhet me rezolutë. Rezoluta nënkupton urdhër parlamentar, dmth merrni atë që themi ne. Për mendimin tim duhet pritur ngritja e Gjykatës Kushtetuese dhe duhet të vendosë ajo kush ka të drejtë”,- deklaroi deputeti i Bindjes Demokratike, Andi Përmeti./old.apel.media