AMF përgatit projektrregulloren për licencimin e bursave për tregtimin e kriptomonedhave

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka përgatitur edhe grupin e dytë të projektrregulloreve që do të mundësojnë licencimin dhe funksionimin e subjekteve financiare të lidhura me tregtimin e kriptovalutave, bazuar në ligjin e vitit 2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”.

Projektrregullorja “Për licencimin e subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë si Bursë DLT” ka për qëllim përcaktimin e rregullave dhe procedurave të detajuara të licencimit, llojit të dokumenteve provuese, mënyrën e shqyrtimit dhe vlerësimit të dokumenteve, rregullave të brendshme të funksionimit si dhe rregullave të detajuara për listimin dhe tregtimin e tokenave digjitalë dhe monedhave virtuale për subjektet që ushtrojnë ose kërkojnë të ushtrojnë veprimtarinë si bursë DLT (bazuar në Teknologjinë e Regjistrave të Shpërndarë).

Bazuar në parashikimet e ligjit, AMF mund të japë për bursat DLT licenca të kategorisë A, ku mund të tregtohen vetëm token digjital shërbimesh, token digjital asetesh dhe token digjital pagesash; licenca të kategorisë B, ku krahas veprimtarisë së lejuar për kategorinë A, mund të

tregtohet gjithashtu para FIAT dhe monedha virtuale; licenca të kategorisë C, ku krahas vepritarisë së lejuar për kategorinë A dhe B, mund të tregtohen gjithashtu edhe token digjital të titujve. Bursa DLT ndalohet të kryejë tregtim për llogari të vetë dhe tregtim bazuar në parimin e

përputhshmërisë. Veç dokumentacionit bazë, si statute, ekstrakti i regjistrimit dhe struktura organizative, dokumentacioni i aplikimit duhet të përmbajë planin e biznesit së paku për tre vitet e para të aktivitetit, duke përfshirë këtu përshkrimin e veprimtarisë së subjektit, perspektivat e zhvillimit të veprimtarisë, pritshmëritë e subjektit mbi veprimtarinë që do të kryejë, mënyrën e përmbushjes së kërkesave për mjaftueshmëri kapitali. Plani i biznesit duhet të përmbajë edhe planin e marketingut të shoqërisë, përfshirë klientët e synuar, si edhe planin financiar, me një përshkrim se si do të mbulohet kostoja e fillimit të veprimtarisëdhe se si do të ruhen dhe zbatohen kërkesat e mjaftueshmërisë së kapitalit dhe programin për trajnimin e vazhdueshëm të të gjithë personelit për të përmbushur standardet për aftësitë profesionale.

Aplikuesve do t’iu kërkohet edhe kontrata e punës me administratorin, deklarata e përgjegjësisë, ku të përshkruhen përgjegjësitë e funksionarëve të cilësuar si personel kyç, si edhe vërtetimin bankar që konfirmon pagesën në lekë, për llogari të shoqërisë, të kapitalit minimal fillestar

në një nga bankat në Republikën e Shqipërisë. Kjo shumë zhbllokohet nëpërmjet njoftimit të Autoritetit, në përfundim të procedurës së licencimit.

Nëse shoqëria ka ushtruar një aktivitet tjetër përpara kërkesës për të ushtruar veprimtarinë si bursë DLT, përveç dokumenteve të mësipërme, duhet të depozitojë gjithashtu edhe pasqyrat financiare të audituara për 3 vitet e fundit, vërtetim nga administrata tatimore mbi gjendjen e detyrimeve tatimore dhe deklaratë se shoqëria nuk është nën hetim ose proces gjyqësor për kryerjen e ndonjë vepre penale. Në aplikim do të kërkohet gjithashtu dokumentacion të lidhur me reputacionin e aksionerëve dhe dokumentacion që justifikon burimin e kapitalit.

Pas marrjes në dorëzim të kërkesës për licencim dhe paketës së dokumenteve, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare përgjegjës ngrenë komisionin e përbashkët i cili do të kryejë shqyrtimin dhe vlerësimin e tyre në përputhje me dispozitat e kësaj rregulloreje dhe legjislacionit në fuqi. Rregullat për funksionimin dhe organizimin e komisionit përcaktohen me urdhër të përbashkët të autoriteteve përgjegjëse.

Komisioni do të vlerësojë përmbushjen e kritereve për përshtatshmëri dhe aftësi të aksionarëve, administratorit, anëtarëve të këshillit të administrimit/këshillit mbikëqyrës, si dhe personelit kyç; përputhshmërinë e subjektit kërkues me kërkesat e Ligjit dhe të kësaj rregulloreje; kapacitetin dhe aftësinë e subjektit kërkues për të ruajtur dhe plotësuar në të ardhmen kushtet e përgjithshme dhe kriteret e veçanta të ligjit dhe rregulloreve.

Autoriteti mund të refuzojë kërkesën për licencim në rastet kur subjekti kërkues nuk ka kryer pagesën e tarifës së aplikimit për licencë; kur gjykon mbi baza të arsyeshme se subjekti kërkues ka dorëzuar dokumente ose informacion të rremë, të pasaktë ose jo të plotë; kur gjykon mbi baza të arsyeshme se dokumentet e dorëzuara nga subjekti kërkues janë të pamjaftueshme ose subjekti kërkues nuk përmbush kushtet e kriteret për licencim; kur gjykon mbi baza të arsyeshme se subjekti kërkues nuk do të jetë i aftë të plotësojë në të ardhmen kushtet e kriteret për licencim.