Ambasadorja Kim: Qeveria t’i japë përparësi klimës së biznesit

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Dhomës Amerikane të Tregtisë, ku i bëri thirrje qeverisë që t’i japë përparësi përmirësimit të mëtejshëm të klimës së biznesit në vend.

“I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare që t’i japë përparësi klimës së biznesit për të çliruar potencialin që ekziston këtu. Të drejtat e pronës duhet të trajtohen njëherë e mirë sa më shpejt të jetë e mundur. Konkurrenca e ndershme duhet të jetë parësore. Qeveria duhet ta marrë seriozisht axhendën e investimeve të Dhomës Amerikane. Një klimë më e mirë e biznesit do të krijonte një Shqipëri më të mirë. E ardhmja do të jetë edhe më e ndritur”, u shpreh ambasadorja Kim.

Diplomatja foli edhe për investimin në hidrocentralin e Skavicës, ndërtimi i së cilës do të bëhet nga kompania amerikane Bechtel.

“Nëse ky projekt do të nisë, do të përfaqësojë një zhvillim të madh për Shqipërinë por edhe për rajonin. Ky projekt shoqërohet nga një në Vlorë. Nëse ka sukses do të jetë investimi i huaj i drejtpërdrejt më i madh i kryer ndonjëherë nga një kompani amerikane. Mbetet ende shumë punë për t’u bërë”, – tha Kim.