Ambasadori ukrainas në Serbi: Mirënjohës Kosovës, por qëndrimi i Ukrainës s’ka ndryshuar

Ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkach, ka thënë se Ukraina i është mirënjohëse Kosovës për ndihmën që i ka dhënë, por ka shtuar se qëndrimi i saj për Kosovën nuk ka ndryshuar. Tolkach duke...
Ambasadori ukrainas në Serbi: Mirënjohës Kosovës, por qëndrimi i Ukrainës s’ka ndryshuar
Foto: Ambasadori ukrainas në Serbi: Mirënjohës Kosovës, por qëndrimi i Ukrainës s’ka ndryshuar

Ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkach, ka thënë se Ukraina i është mirënjohëse Kosovës për ndihmën që i ka dhënë, por ka shtuar se qëndrimi i saj për Kosovën nuk ka ndryshuar.

Tolkach duke folur për televizionin publik, ka thënë se Ukraina ka qëndrim parimor se duhet respektuar integriteti territorial dhe sovraniteti.

“Ne kemi qenë gjithmonë të qëndrueshëm në politikën e jashtme dhe gjithmonë kemi mbështetur çdo vend brenda kufijve që njihen ndërkombëtarisht”, tha Tolkach. “Nga ana tjetër, Ukraina së bashku me vendet e tjera evropiane u përpoqën të ndalonin luftërat e përgjakshme në Ballkan, siç ishte ajo e vitit 1999, por përpjekjet tona nuk mjaftuan. Prandaj sot jemi mirënjohës për mbështetjen që Kosova i jep Ukrainës, por në të njëjtën kohë ritheksojmë qëndrimin tonë parimor se duhet respektuar integriteti territorial dhe sovraniteti. Në të njëjtën kohë, kush mund të jetë në të vërtetë mosmirënjohës për ndihmën që vjen nga çdo anë në formën e dhembshurisë, humanizmit, për çdo ndihmë të dhënë, çfarëdo vendi, territori apo pjesë që mund të jetë”.

Ukraina ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Të shtunën deputeti ukrainas Oleksyi Goncharenko ka njoftuar se ka dorëzuar në Parlamentin e Ukrainës një rezolutë për njohjen e Kosovës. Disa orë më vonë ai në “Euronews Albania” ka treguar se ka marrë kërcënime nga serbët nëpërmjet rrjeteve sociale.